Koment nga Stefën Frank (Stephen Frank). Z. Frank është President i Federatës Globale të Shoqatave të Sigurimeve (GFIA) dhe njëherësh President dhe Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Kanadeze të Sigurimeve të Jetës dhe Shëndetit (CLHIA). Ky artikull u mor nga analizat e tekst-raprotit 2024-2025 të Insurance Europe.
Në mbarë botën, shqetësimet për koston dhe qasjen ndaj sigurimit po rriten.
Pengesat vijnë nga shumë drejtime: taksat e fshehura, rregulloret e ndërlikuara dhe rreziqet e reja që po shfaqen.
Pa veprime konkrete, komunitete të tëra – sidomos ato në zona të rrezikuara – rrezikojnë të mbeten pa mbrojtje pikërisht kur kanë më shumë nevojë.
Për të ecur përpara, duhet të përqendrohemi në lehtësimin e këtyre presioneve që e bëjnë sigurimin të shtrenjtë dhe të vështirë për t’u ofruar.
Gjatë përvojës time shumëvjeçare në GFIA dhe tani si President, kam parë nga afër sfidat me të cilat përballen siguruesit.
Katastrofat natyrore po ndodhin më shpesh, rreziqet si sulmet kibernetike po rriten, dhe popullsia po plaket – të gjitha këto shtojnë kërkesën për sigurim.
Por në të njëjtën kohë, presionet ekonomike dhe rregullatore po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë të ofrohet sigurim i përballueshëm, sidomos në zona me rrezik të lartë.
Vakumi në mbrojtjen e sigurimit
Një nga shqetësimet kryesore është vakumi mbrojtës – diferenca mes asaj që njerëzit kanë nevojë të sigurojnë dhe asaj që realisht kanë mundësi të sigurojnë.
Kjo është veçanërisht e dukshme në tregjet në zhvillim dhe komunitetet me të ardhura të ulëta, ku edhe sigurimet më bazike janë të pakta ose shumë të shtrenjta.
Ndërsa rreziqet si ndryshimet klimatike po përkeqësohen, ky boshllëk po zgjerohet.
Për ta përballuar këtë, nevojitet një bashkëpunim i gjerë – mes sektorit privat dhe shtetit.
Siguruesit mund të sjellin zgjidhje të reja, por kanë nevojë për mbështetje nga qeveritë, rregullatorët dhe institucionet publike për të krijuar një mjedis ku sigurimi të lulëzojë dhe të jetë i arritshëm për të gjithë.
Roli i teknologjisë dhe risive
Zgjidhje premtuese po shfaqen përmes modeleve të reja të sigurimit.
Teknologjitë si sigurimi parametrik, telematika dhe mikro-sigurimi ofrojnë mënyra të lira dhe fleksibël për të mbuluar njerëzit që sot janë të pambrojtur.
Për shembull, sigurimi parametrik jep dëmshpërblime të menjëhershme nëse ndodh një ngjarje si tërmet apo përmbytje, bazuar në parametra të paracaktuar.
Mikro-sigurimi është një tjetër zgjidhje që funksionon mirë për komunitetet me të ardhura të ulëta.
Në bashkëpunim me qeveritë, OJF-të dhe bizneset lokale, mund të ofrohen produkte që mbulojnë rreziqe si dështimi i prodhimit bujqësor, emergjencat shëndetësore apo dëmtimet në banesa të vogla.
Rëndësia e mbështetjes rregullatore
Për të sjellë këto risi, është thelbësore që rregullat të mos i pengojnë, por t’i ndihmojnë.
Rregulloret shumë të ndërlikuara ose të vjetruara krijojnë barriera për zhvillimin e produkteve të reja dhe rrezikojnë që edhe produktet ekzistuese të mos mbijetojnë.
GFIA kërkon thjeshtimin dhe unifikimin e rregullave, që kompanitë të funksionojnë më mirë duke mbrojtur gjithashtu konsumatorin.
Nevojitet bashkëpunim për të mbyllur boshllëqet në sigurim
Sigurimi nuk mund të zgjidhet vetëm nga një palë.
Nevojiten përpjekje të përbashkëta nga siguruesit, shtetet, organizatat ndërkombëtare dhe palët e tjera.
GFIA është e angazhuar për të punuar me të gjithë për të gjetur zgjidhje dhe për të ngushtuar boshllëqet në sigurim.
Në këtë frymë, raporti i GFIA për vitin 2025 – që do të publikohet në fund të vitit – do të ofrojë një analizë më të thelluar për sfidat e sigurimit dhe për zgjidhjet që po ndërmerr industria.
Ky raport do të shërbejë si bazë për diskutime dhe veprime të ardhshme në këtë fushë.
Për një të ardhme më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse
Ndërsa rreziqet po rriten dhe sfidat po ndryshojnë, një gjë është e qartë: industria globale e sigurimeve duhet të jetë e shpejtë dhe e përshtatshme ndaj nevojave të reja të shoqërisë.
Inovacioni, bashkëpunimi dhe mbështetja rregullatore janë çelësat për të ndërtuar një treg sigurimesh më të fortë dhe gjithëpërfshirës – që mbron komunitetet dhe siguron një të ardhme më të mirë për të gjithë.