Thea Utoft Høj Jensen, drejtore e Përgjithshme e Insurance Europe dhe sekretare e Përgjithshme e Federatës Globale të Shoqatave të Sigurimeve (GFIA), përpara pjesëmarrjes si folëse kryesore në FIAR 2025, skicoi disa drejtime kyçe të tregut evropian të sigurimeve sipas saj. Këto mendime ajo i publikoi në XPRIMM, portalin e specializuar ndërkombëtar për sigurime dhe financa.
Drejtorja Jensen e konisderoi kohën e tashme përplot pasiguri ekonomike dhe gjeopolitike. Në këto rrethana, sipas saj, siguruesit mbeten gurë themelesh në tri drejtime:
1. në drejtim të stabilitetit financiar,
2. në drejtim të investimeve afatgjata dhe
3. në drejtim të mbrojtjes ndaj rreziqeve.
Në mënyrë që industria e sigurimeve të vijojë përmbushjen e këtij roli, nevojitet mjedis ligjor dhe politik që synon përmbushjen e 3 objektivave:
1. Qëndrueshmëri,
2. Inovacion dhe
3. Rritje e qëndrueshme.
“Një përparësi kyçe është çlirimi i potencialit të plotë të sigurimeve si investues afatgjatë. Përmes nismës së Komisionit Evropian për krijimin e Unionit të Kursimeve dhe Investimeve (SIU), ekziston një mundësi unike për të kanalizuar më shumë kursime në investime produktive që mbështesin rritjen ekonomike dhe stabilitetin. Siguruesit menaxhojnë 9.5 trilionë euro në asete, me gati 70% të investuara në aksione dhe obligacione të BE-së, duke i bërë ata aktorë thelbësorë në financimin e tranzicionit të gjelbër dhe atij dixhital”, u shpreh drejtorja Jensen.
Forcimi i përpjekjeve ndaj ndryshimeve klimatike, veçanërisht përballë katastrofave natyrore është një tjetër prioritet sipas znj. Jensen. Në këtë drejtim me rëndësi është bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, në mënyrë që çdo masë e ndërmarrë të jetë mjaftueshëm fleksibël për të reflektuar ndryshimet në kuadrot rregullatore, traditat dhe nivelin e depërtimit të sigurimeve në mbarë Evropën.
Znj. Jensen u ndal edhe te një pikë tjetër prioritare, dixhitalizimi dhe inteligjenca artificiale, të cilat po e transformojnë industrinë e sigurimeve. Ky transformim lidhet me mënyra të reja për vlerësimin e rrezikut, parandalimin e mashtrimeve dhe përmirësimin e përvojës së klientit.
“Konkurrenca e ndershme dhe qartësia rregullatore janë thelbësore. Ndërsa siguruesit përballen me kërkesa strikte për përputhshmëri, Big Tech dhe aktorë të tjerë dixhitalë hyjnë gjithnjë e më shumë në tregun e sigurimeve pa të njëjtin nivel mbikëqyrjeje. Sigurimi i një fushe loje të barabartë – ku të gjithë aktorët veprojnë sipas rregullave të ndershme dhe të njëtrajtshme – është vendimtar për ndërtimin e besimit dhe nxitjen e inovacionit. Gjithashtu, siguruesit kanë nevojë për akses në të dhëna kritike, si ato të gjeneruara nga automjetet, për të zhvilluar zgjidhje konkurruese dhe të përqendruara te konsumatori”, ishin fjalët e znj. Jensen, drejtore e Insurance Europe.
Në një kontekst sfidues për Evropën sigurimet, vendos theksin drejtuesja, mbeten një shtyllë themelore për stabilitetin ekonomik dhe shoqëror. Krijimi i një kuadri rregullator që nxit qëndrueshmërinë, inovacionin dhe investimet është thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.