Shkencëtarët parashikojnë se viti 2025 do të jetë viti i tretë më i nxehtë në botë, pak pas vitit 2024 dhe 2023, të cilët do të zënë dy vendet e para në listën e viteve më të nxehta që kur matet temperatura.
Sipas të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Britanik, viti 2025 do të jetë së paku 1.29 gradë më i ngrohtë se para epokës industriale dhe ka mundësi që temperatura të rritet deri në 1.4 gradë, shkruan “Sky News”.
Në vitin 2025 pritet të thyhet rekordi nga viti 2020, i cili për rrjedhojë do të zbresë në vendin e katërt.
Shkencëtarët theksojnë se viti 2025 do të jetë një vit shumë i ngrohtë, megjithëse fenomeni El Niño, i cili çoi në një rritje të temperaturave në 2023 dhe 2024, është në rënie. Shkak i kësaj vape globale është tendenca afatgjatë e ndryshimeve klimatike, e cila është rezultat i emetimit të gazrave me efekt serë, kryesisht nga lëndët djegëse fosile.
Meteorologu Adam Scaife shpjegoi se El Niño rriti përkohësisht temperaturat globale, por se ndryshimi i klimës vazhdon të bëjë çdo vit më të ngrohtë.
Shkencëtarët po hetojnë gjithashtu faktorë të tjerë që mund të kontribuojnë në rritjen e temperaturave, siç janë shpërthimet vullkanike.
LEXO EDHE: Ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit, dy sfidat themelore për epokën tonë