Statistikat e publikuara nga INSTAT për muajin shtator 2024, tregojnë një rritje të ndjeshme të aksidenteve rrugore në Shqipëri.
Konkretisht, gjatë këtij muaji janë regjistruan 142 aksidente rrugore, një rritje prej 52.7%, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ku u raportuan 93 aksidente.
Ky shtim i rasteve ka sjellë një rritje të ndjeshme në numrin e viktimave dhe të plagosurve, i cili ka shkuar nga 122 persona në shtator 2023 në 195 persona në shtator 2024.
Ndërkohë, sa i përket 9-mujorit Janar-Shtator, vihet re se numri i aksidenteve ka arritur në 1,228, gati dyfish më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një aspekt shqetësues është edhe rritja e numrit të femrave të përfshira në aksidente gjatë këtij viti.
Në muaj shtator 2024 janë 84.6% më shumë femra të aksidentuara krahasuar me shtatorin e një viti më parë. Ndërkohë, në harkun kohor të nëntë muajve rritja është 50%.
Sjellja e drejtuesve të automjeteve është faktori dominues në 94.4% të rasteve, ndërsa sjellja e këmbësorëve ka ndikim më të ulët. Shifrat tregojnë se në 26% të aksidenteve të ndodhura në muajin shtator shkaktarë ishin shoferët e moshave 25-34 vjeç.
Përsa i përket përhapjes gjeografike, disa qarqe janë më të ekspozuar ndaj riskut të kryerjes së aksidenteve.
Qarku i Tiranës zë vendin e parë me 47 aksidente të shkaktuara në shtator 2024, ndërsa në 9 muaj në Tiranë janë regjistruar 402 aksidente me 688 viktima.
Ndërkohë, qarku ai i Lezhës dhe i Durrësit zënë vendin e dytë dhe të tretë, respektivisht, me numrin më të madh të aksidenteve dhe viktimave.