Përmbytjet e fundit që kanë goditur Europën Qendrore mund të shkaktojnë humbje ekonomike që mund të arrijnë në miliarda euro, sipas vlerësimeve paraprake.
Agjencia e vlerësimit “Morningstar DBRS” vlerëson se humbjet do të arrijnë në mbi 1 miliard euro, tha për Reuters nMario De Cicco, nëndrejtor i kompanisë.
Humbjet e siguruara priten të jenë më të larta në Republikën Çeke, ku sigurimet janë më të përhapura, sesa në Poloni.
Ndërkohë sipas “Gallagher Re”, është shumë herët për të dhënë një vlerësim konkret duke qenë se reshjet vazhdojnë dhe nivelet e lumenjve po rriten, por humbjet ekonomike ka të ngjarë të jenë miliarda euro.
“Sipas pritshmërive, kostot ekonomike do të jenë në miliarda, por thjesht do të duhet kohë për të bërë një vlerësim të plotë”, tha Steve Bowen, Shefi i Shkencës në “Gallagher Re”.
Përveç kompanive vendase të sigurimit, siguruesit e mëdhenj austriakë, veçanërisht ata aktivë në Republikën Çeke dhe Poloni, pritet të jenë më të prekurit, thonë ekspertët e sigurimeve.