24.5 C
Tirana
Thursday, September 19, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetGRAFIKU/ Si ka ndryshuar ndër vite numri i anëtarëve të fondeve private...

GRAFIKU/ Si ka ndryshuar ndër vite numri i anëtarëve të fondeve private të pensioneve

Tregu i pensioneve private vullnetare kaloi kufirin e 41 mijë anëtarëve në tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në mesin e vitit 2024 numri i anëtarëve të fondeve arriti në 41,344 anëtarë, në rritje me 8.3% që nga fillimi i këtij viti dhe me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve po rritet me ritme të qëndrueshme në dekadën e fundit dhe është në nivelet më të larta historike. Megjithatë, depërtimi i pensioneve private ngelet në nivele mjaft modeste.

Individët që kontribuojnë për një pension privat përbëjnë afërsisht 3.1% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend.

Ndarja e tregut

Në fund të tremujorit të dytë, në tregun e pensioneve private ishin aktive gjashtë fonde të pensioneve private, që administrohen nga katër shoqëri administruese.

Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 46.09% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga SIGAL UNIQA Invest me 32.06%, Albsig Pension me 10.29%, Raiffeisen Pension me 10.21%, Smart Pension, me 1.07% dhe Sigal Pro, me 0.29%.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është SIGAL UNIQA Invest me 40.46% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension, me 30.47%, Raiffeisen Pension, me 20.76%, Albsig Pension me 7.78%, Smart Pension, me 0.5% dhe Sigal Pro, me 0.04%.

Ligji i ri “Për fondet e pensionit privat”, që hyri në fuqi në fund të 2023-shit, ka sjellë rritje të ndjeshme të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve.

Me ligjin e mëparshëm, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontributet në pensione private, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas ligjit të ri, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor është rritur në nivelin e pagës minimale të miratuar, që ka arritur në 40,000 lekë në muaj.

Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet arrin në 480,000 lekë në vit. Edhe kontributet e pensionet privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.

Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.

LEXO EDHE“Pensioni mesatar në Maqedoninë e Veriut 350 euro”/ Gazetari: Nevojë për një skemë me tri shtylla

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat