Sylvinho është shumë pranë rinovimit me Kombëtaren Shqiptare të Futbollit.
Tv Klan mëson se së shpejti do të nënshkruhet edhe kontrata e re mes FSHF-së dhe teknikut brazilian.
Akordi vjen si përfundim i bisedimeve mes palëve që prej mbylljes së Europianit për Shqipërinë.
Me gjasë FSHF i ka krijuar brazilianit dhe ekipit të tij, kushtet e kërkuara për të vazhduar punën me objektivin e arritjes së kualifikimit të Shqipërisë në Botërorin e 2026, që do të zhvillohet në Meksikë, SHBA dhe Kanada.
Edhe vetë nga ana e Sylvinho është shprehur vullneti dhe detyrimi për të vijuar punën e nisur në fillim të vitit 2023, që kulmoi me kualifikimin në Europianin e Gjermanisë.
Nga drejtuesit e FSHF është vlerësuar fryma që ai ka sjellë në skuadër dhe mentalitetit që ka ushqyer tek lojtarët, duke bërë fushatën kualifikuese më të mirë në historinë e kombëtares, me kualifikimin si e para e grupit.
Njoftimi për arritjen e marrëveshjes pritet të bëhet zyrtar këtë të mërkurë më 10 korrik.