Temperaturat rekord dhe ngjarjet ekstreme të motit anembanë globit gjatë ditëve të fundit parashikojnë një tjetër verë të zjarrtë.
Termometri shënoi 40 gradë Celsius në pjesën më të madhe të Greqisë qendrore dhe jugore këtë javë, duke detyruar vendet arkeologjike të jenë të mbyllura nga mesdita deri në orën 17:00, raporton Associated Press.
Edhe verën e kaluar, për shkak të vapës, Akropoli, vendi turistik më i njohur i Greqisë, u mbyll.
Por, këtë javë, meteorologët thonë se kjo ishte vala më e hershme e të nxehtit e regjistruar në historinë greke dhe temperaturat në rritje i kanë bërë zyrtarët në gatishmëri të lartë për zjarre të mundshme.
Në Qipro, një nga destinacionet më me diell të Evropës, një valë zjarresh të lidhura me nxehtësinë ka shpërthyer pranë Paphos. Ishulli tërheq shumë turistë çdo verë, të etur për të eksploruar rrënojat romake të Qipros dhe plazhet e bukura.
Më në veri, një fshat pushimesh në Antalia të Turqisë u përfshi nga flakët pasi temperaturat kaluan 39 gradë.
Ndërkohë, shirat e rrëmbyeshëm në disa pjesë të Spanjës shkatërruan të korrat dhe ndaluan disa fluturime në ishullin popullor turistik të Mallorca.
Sipas meteorologëve, korriku dhe gushti, do të sjellin në të gjithë kontinentin ngrohjen më të shpejtë në botë.
Por rreziqet e krizës klimatike nuk i kanë penguar njerëzit të dynden në vende turistike si Itali, Kroaci dhe Greqi, shtete që u goditën nga i nxehti përvëlues në verën e vitit 2023.
Vera e nxehtë nuk është një problem unik për Evropën. SHBA-ja pritet të përfshihet gjithashtu nga temperatura kërcënuese për jetën në ditët në vijim.
LEXO EDHE: Si të mbrojmë pasuritë tona nga fatkeqësitë natyrore?