Banka Qendrore Europiane (BQE) i ka lënë të pandryshuara normat e interesit, por dërgoi sinjale edhe më të qarta se mund të përgatitet t’i ulë, ato ndërsa inflacioni i Eurozonës vazhdon të bjerë.
Norma e interesit, për operacionet kryesore të rifinancimit, dhe normat e interesit, për kredinë marxhinale dhe atë të depozitave, do të mbeten të pandryshuara, përkatësisht në 4.50%, 4.75% dhe 4.00%.
“Këshilli Drejtues vendosi sot të mbajë të pandryshuara tre normat kryesore të interesit të BQE-së. Informacioni i ardhur, ka konfirmuar gjerësisht vlerësimin e mëparshëm të Këshillit Drejtues, për perspektivën afatmesme të inflacionit”, thuhet në një njoftim për shtyp të BQE.
“Inflacioni ka vazhduar të bjerë, i udhëhequr nga inflacioni më i ulët i çmimeve të ushqimeve dhe mallrave. Shumica e masave të inflacionit bazë po lehtësohen, rritja e pagave po zbutet gradualisht dhe firmat po përballojnë një pjesë të rritjes së kostove të punës, nga fitimet e tyre.
Kushtet e financimit, mbeten kufizuese dhe rritja e normave të interesit në të kaluarën, vazhdon të rëndojë kërkesën, gjë që po ndihmon në uljen e inflacionit. Por, presionet e brendshme të çmimeve, janë të forta dhe po e mbajnë inflacionin e çmimeve të shërbimeve të lartë.”
Tregjet nuk kishin pritur asnjë ndryshim në normat e interesit dhe tani presin komente të mëtejshme, nëse pritet ulje e normës në qershor.
“Nëse vlerësimi i përditësuar i Këshillit Drejtues, për perspektivën e inflacionit, dinamikën e inflacionit bazë dhe fuqinë e transmetimit të politikës monetare, do të rriste më tej besimin se, inflacioni po konvergjon drejt objektivit në mënyrë të qëndrueshme, do të ishte e përshtatshme të reduktohej vlera aktuale e nivelit të kufizimit të politikës monetare”, thuhet në një deklaratë.
BQE, nuk u referohej drejtpërdrejt politikave monetare tolerante në komunikatat e mëparshme.
Banka qendrore, për 20 vendet e Eurozonës, rriti normën bazë, në një vlerë rekord prej 4% në shtator. Që atëherë, norma ka mbetur e pandryshuar në çdo mbledhje.
Politikëbërësit dhe ekonomistët, presin që qershori të jetë muaji, kur normat mund të fillojnë të ulen, pasi BQE shkurtoi parashikimin afatmesëm të inflacionit. Rritjet e çmimeve në Eurozonë që atëherë, janë ulur më shumë se sa pritej në mars.
BQE tha se informacionet e ardhura, kishin “konfirmuar gjerësisht” perspektivën afatmesme, me rënien e inflacionit të udhëhequr nga ulja e ushqimeve dhe mallrave.
Qershori, do të jetë gjithashtu muaji i parë, kur politikëbërësit do të kenë një seri të plotë të dhënash, mbi negociatat e pagave të tremujorit të parë – një aspekt shqetësues për efektet e mundshme inflacioniste./ CNBC