Me një variant të ri të virusit Sars-CoV-2 që shkakton një rritje të rasteve, po demonstron se sa shumë ka ndryshuar sëmundja që nga fillimi i pandemisë dhe çfarë ndodhi me “Covid toe (një nga simptomat e Covid-19 ishte edhe fryerja e një ose më shumë gishtave)”.
“Për gati katër vjet, unë kam arritur ta shmang Covid-19“, postoi autori Mehdi Hasan dy javë më parë në Twitter. “Por më në fund më gjeti. Në fund të 2023“.
Hasani shtoi se simptomat e tij ishin fatmirësisht të lehta, por ai është vetëm një nga shumë njerëz që raportojnë se janë infektuar me Covid-19, katër vjet pas fillimit të përhapjes në të gjithë botën.
Rastet me Covid-19 kanë filluar të rriten sërish si pasojë e variantit JN.1 Covid, i cili u shfaq shtatorin e kaluar në Francë. Varianti përbën rreth 60% të infeksioneve të reja në fillim të janarit, sipas një gjurmuesi të të dhënave nga Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Në të njëjtën kohë, të dhënat nga CDC dhe Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se shtrimet në spital dhe vdekjet nga Covid-19 janë dukshëm më të ulëta krahasuar me janarin 2023. Mjekët e kujdesit parësor thonë se e kanë praktikisht të pamundur të dallojnë simptomat e Covid-19 nga gripi pa ndihmën e një testi PCR.
“Kur Covid erdhi për herë të parë, ai u karakterizua nga këto simptoma shumë të çuditshme, të paqarta, nga ndjenja e rraskapitjes dhe humbja e shijes dhe aromës”, thotë Ziad Tukmachi, mjek i përgjithshëm në Chartfield Surgery në Londër.
“Tani ndjej se ka ndryshuar, duke sjellë simptoma më të ngjashme me gripin, ku është shumë e vështirë klinikisht të dallosh midis të dyjave”.
Ndërsa e gjithë kjo mund të sugjerojë se virusi po evoluon për t’u bërë gradualisht më pak patogjen, epidemiologët besojnë se realiteti i situatës është më i nuancuar.
“Virusi nuk është domosdoshmërisht më pak patogjen“, thotë Greg Towers, profesor i virologjisë molekulare në University College London.
“Përkundrazi, është duke infektuar një popullatë që është më pak e prirur të sëmuret, sepse ata e kanë marrë Sars-CoV-2 më parë, dhe janë më të mirë në rregullimin e përgjigjes imune kundër tij”.
Towers thotë se mësimi kryesor gjatë rrjedhës së pandemisë është se simptomat që shfaqen te pacientët varen shumë nga statusi i mëparshëm imunitar.
Në dy vitet e para të Covid-19, përgjigjet e një pacienti ndaj virusit diktoheshin kryesisht nga gjendja e tyre e shëndetit imunitar, së bashku me ekspozimin paraprak ndaj koronavirusëve të tjerë.
Tani, në vitin 2024, kjo përcaktohet nga një koktej shumë më kompleks faktorësh, duke përfshirë sa herë ai person është infektuar tashmë nga virusi, statusi i tij i vaksinimit dhe nëse imuniteti i tyre mund të jetë në rënie.
Si rezultat, Denis Nash, epidemiolog në Universitetin e New York thotë se, njerëzit që tani përjetojnë Covid-19 për herë të parë janë në rrezik më të madh, veçanërisht nëse ka kaluar një kohë që nga vaksina e tyre e fundit përforcuese.
“Ka ende njerëz që në një farë mënyre ia kanë dalë të mbeten plotësisht të panjohur për Covid-in. Nëse ata janë të pavaksinuar ose kanë bërë vetëm një vaksinë, ata kanë rrezikun më të lartë të simptomave të rënda dhe të zgjatura”.
Megjithatë, Sars-CoV-2 gjithashtu po ndryshon vazhdimisht, diçka që po ndryshon gjithashtu në mënyrë delicate është se si përpiqet të pushtojë trupin e njeriut. Varianti JN.1 ka një aftësi të madhe për të shmangur sistemin imunitar, për shembull, në krahasim me nën-variantet e tjera të Omicron. Por kjo po ndryshon gjithashtu mënyrën se si ndikon në trupin e njeriut.
Në vitin 2023, studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Commonwealth-it të Virginias raportuan se njerëzit që tani janë të infektuar me nënvariante të lidhura me Omicron kanë vetëm 6-7% më shumë gjasa të humbasin ndjenjën e nuhatjes ose shijes, krahasuar me infeksionet nga virusi në fazat e hershme të Covid-19.
Në vend të kësaj, disa mjekë si David Strain, profesor i shëndetit kardiometabolik në Universitetin e Exeter, Britani, i tha BBC-së se pacientët e tij kanë më shumë gjasa të paraqiten ose me diarre ose dhimbje koke pasi janë infektuar me JN.1 ose EG. 5.
Studiuesit janë ende duke u përpjekur të kuptojnë nëse disa pasoja më delikate të infeksionit Sars-CoV-2 ndryshojnë midis varianteve të virusit ose nëse ndonjë ndryshim nxitet më shumë nga zbehja e mbrojtjes së mëparshme të shkaktuar nga vaksina.
Një nga shqetësimet e vazhdueshme mbetet aftësia e virusit për të shkaktuar dëme në enët e gjakut dhe organet e brendshme përmes krijimit të mikro mpiksjeve, me veshkën në dukje veçanërisht të prekshme bazuar në pacientët Strain ka parë.
“Këto janë vetëm vëzhgime, por ne po shohim më shumë komplikime mikrovaskulare dhe një ndryshim në funksionin e veshkave me variantin e ri JN.1 që duket të jetë më i keq se dy variantet e fundit. Por është e vështirë të thuhet nëse është varianti, apo fakti që janë 18 muaj deri në dy vjet që kur shumë njerëz morën një vaksinë për herë të fundit”.
Me disa prova të reja që sugjerojnë se mikro mpiksjet mund të jenë shkaku i Covid-it të gjatë, një studim në gusht 2023 madje sugjeroi se ato mund të kontribuojnë në problemet konjitive të përjetuara nga shumë pacientë me Covid të gjatë dhe studiuesit tani janë të shqetësuar se ne mund të vazhdojmë të shohim një rritje të mëtejshme në rastet kronike. Megjithatë, do të ishte e vështirë të dallohej nëse kjo është pasojë e variantit të ri apo imunitetit në rënie të popullsisë.
“Studimet nga periudha mars-verë 2020 tregojnë se rreziku I Covid-it të gjatë nga çdo rast, ishte rreth 10%”, thotë Danny Altmann, profesor i imunologjisë në Imperial College London.
“Tani kemi shumë më tepër infeksione dhe rreziku i Covid-it të gjatë duket se ka rënë, jo për shkak të një varianti më të butë, por për shkak të një shkalle mbrojtjeje nga dozat e vaksinave.
E gjithë kjo tregon rëndësinë e vazhdueshme për të gjitha grupmoshat e të qenit të përditësuar me përforcuesit e vaksinave”.
Strain thotë se është jetike të vazhdojmë të monitorojmë se si variante të ndryshme vazhdojnë të na infektojnë.
“Simptomat duket se ndryshojnë nga një variant në tjetrin. Ne kemi pasur periudha ku simptoma më e hershme është dhimbja e kokës dhe të tjera ku është më shumë gastrointestinale. Të gjithë duhet t’i kthehemi jetës si normale, por realiteti është se Covid nuk po shkon askund”.
Çfarë ka ndodhur me “Covid toe”?
Në muajt e parë të pandemisë Covid-19, filluan të shfaqeshin raporte për një simptomë të pazakontë dhe çuditëse të sëmundjes, pacientët po zhvillonin kruarje në këmbë dhe duar. Këto ënjtje dhe skuqje të lëkurës të ngjashme me të ftohtin u bënë të njohura zakonisht si “Covid toe”.
Mjekët dhe shkencëtarët ishin në mëdyshje, si një virus i frymëmarrjes shkaktoi një simptomë kaq të çuditshme në ekstremitetet e trupit?
Testet në mostrat e marra nga njerëzit me Covid toe kanë dështuar për të gjetur praninë e virusit përgjegjës për Covid-19, Sars-CoV-2, në fëmijët e vegjël, duke sugjeruar se vetë virusi nuk është drejtpërdrejt përgjegjës. Në vend të kësaj, janë paraqitur një numër hipotezash, duke përfshirë se mund të jetë rezultat i një reagimi të tepruar nga një pjesë e sistemit imunitar që prodhon një proteinë të quajtur interferon IFN-1, i cili ndihmon sistemin imunitar të synojë qelizat e infektuara nga viruset.