15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetJavën e ardhshme mblidhen bankat qendrore/ Priten sinjale për lehtësim të politikave...

Javën e ardhshme mblidhen bankat qendrore/ Priten sinjale për lehtësim të politikave monetare

Javën e ardhshme, Bankat më të rëndësishme qendrore në Botë do të mbajnë mbledhjet e fundit të Bordeve vendimmarrëse për politikën monetare të vitit 2024.

Pas sinjaleve për një rënie më të shpejtë se pritshmëritë të inflacionit, analistët financiarë po shfaqin një vëmendje në rritje, në pritje të sinjaleve të mundshme për një lehtësim të politikës monetare, pas një periudhe dyvjeçare shtrëngimi i shpejtë.

Sipas analizës së fundit të ‘Raiffeisen Research’ në Vienë, është e pritshme që Banka Qendrore Europiane (ECB) do të lërë të pandryshuara normat bazë të interesit në nivelin aktual.

Aktualisht, norma e interesit të depozitave ditore të ECB-së është një nivelin 4%, ndërsa norma e instrumenteve kryesore të rifinanncimit është në nivelin 4.5%. Në fakt, veçanërisht të dhënat e inflacionit që janë publikuar së fundmi (2.4%) nën pritshmëritë e mëparshme të ECB-së, janë në favor të normave bazë të pandryshuara.

Megjithatë, në kushtet e rënies së inflacionit, ndoshta një interes më të madh do të kenë orientimet për të ardhmen ose forward guidance për tregjet.

Sipas ‘Raiffeisen Research’, gjasat janë që ECB-ja të ruajë orientimin e fundit, që shprehet se, niveli aktual i normave të interesit shihet si mjaftueshëm shtrëngues.

Pritet gjithashtu që parashikimet e reja makroekonomike të tregojnë rishikime në rënie si për rritjen ekonomike, ashtu edhe për perspektivën e inflacionit.

Megjithatë, ‘Raiffeisen Research’ pret që parashikimet e BQE-së të reflektojnë një kthim të qëndrueshëm në objektivin e inflacionit vetëm në vitin 2025. Mbështetur në këtë projeksion, analistët mendojnë se Presidentja Christine Lagarde do të jetë e prirur të refuzojë pritshmëritë aktuale shumë optimiste për ulje të afërt të normave të interesit.

Në fakt, çmimet në tregjet financiare aktualisht mbështetin projeksion se normat e interesit mund të ulen në mars të vitit të ardhshëm, megjithëse kjo bie ndesh me narrativën e deritanishme të Presidentes Lagarde për norma interesi më të larta, për një kohë më të gjatë. Euribori 12-mujor ka zbritur në nivelet më të ulëta të shtatë muajve të fundit.

Një skenar i ngjashëm projektohet edhe në SHBA. Edhe atje, tregjet vlerësojnë si skenar më të mundshëm një ulje të normës bazë nga Bordi i Rezervës Federale në mars 2024.

Deri në muajt e fundit, Rezerva Federale dukej edhe më e hapur se ECB-ja rreth mundësisë së një rritjeje të mëtejshme të normave të interesit. Megjithatë, edhe ekonomia amerikane në muajt e fundit ka pësuar një rënie më të shpejtë të inflacionit, ndërsa pritet që perspektivat e rritjes ekonomike dhe të punësimit të rishikohen në rënie.

Pavarësisht kësaj, ‘Raiffeisen Research’ pret që edhe Kryetari Rezervës Federale, Jerome Powell, ta konsiderojë një ulje të normës së interesit në të ardhmen e afërt si të parakohshme dhe nuk priten ende sinjale të uljes së shpejtë të tyre.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat