14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShans historik! Terminal i gazit të lëngshëm, ç’do të thotë për Shqipërinë...

Shans historik! Terminal i gazit të lëngshëm, ç’do të thotë për Shqipërinë marrëveshja e arritur nga kompanitë amerikane dhe MIE

Nga Shaban Murati

Nuk u kuptua sa duhet, dhe siç e meritonte, rëndësia e shansit të ri historik dhe gjeopolitik, që hap për Shqipërinë marrëveshja e arritur në 12 mars 2021 nga kompanitë e mëdha amerikane “Exxon Mobil” dhe “Excelerate Energy LP” me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë të Shqipërisë për ndërtimin e një terminali të gazit të lëngshëm, LNG, në Shqipëri. Siç thekson në komunikatën e saj të 12 marsit kompania amerikane “Excelerate Energy”, marrëveshja përfshin zhvillimin e një terminali të importit të LNG dhe ndërtimin e një rrjeti shpërndarje të LNG në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Është terminali i parë i gazit amerikan LNG, që SHBA ndërtojnë në Ballkanin Perëndimor me kompani nga më të mëdhatë amerikane. Zgjedhja e Shqipërisë paraqet një hap të rëndësishëm për diplomacinë energjetike të SHBA në Ballkan dhe në Europë. Kjo do të thotë se zgjedhja e Shqipërisë si vendi hyrës ballkanik për ndërtimin e një terminali të gazit amerikan LNG është planifikuar nga SHBA si lëvizje dhe avancim drejt një roli të veçantë të Shqipërisë në strategjinë energjitike të SHBA në Ballkan dhe në Europë. Është fjala për rolin e ri të Shqipërisë si një qendër e rëndësishme energjetike e importit dhe e shpërndarjes së gazit amerikan LNG në gjithë Ballkanin. Kemi një profil të ri strategjik rajonal të Shqipërisë në një fushë të re, siç është siguria energjetike dhe pavarësia energjetike e rajonit.

Është një shans i ri, të cilin Shqipëria nuk e ka pasur në asnjë prej planifikimeve të mëparshme ndërkombëtare të gazsjellësve të shumtë të planifikuar apo të ndërtuar nga Rusia dhe nga BE në gadishullin e Ballkanit. Edhe në gazsjellësin TransAdriatik, TAP, që transmeton gazin nga Azerbajxhani në Itali, duke kaluar përmes Shqipërisë, vendi ynë është thjesht një nga shtetet e shumta të tranzitimit, por larg rolit të një qendre të rëndësishme të shpërndarjes së gazit. SHBA i japin tani Shqipërisë rastin dhe shansin e rrallë të shndërrohet në një qendër të importit dhe shpërndarjes së gazit amerikan LNG për rajonin e Ballkanit. Siç deklaroi ambasadorja amerikane Juri Kim në 12 mars me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes midis dy kompanive amerikane dhe Shqipërisë, “Exxon” dhe “Excelerate” kanë pasur largpamësinë “të shohin vlerën strategjike të Shipërisë si një pikë kyçe hyrëse në Ballkan, në Europë dhe më gjërë”.

Ky rol i ri i Shqipërisë si qendër rajonale e shpërndarjes së gazit amerikan LNG krijon një rrethanë të re në planin energjetik dhe gjeopolitik, e cila duhet kapur dhe shfrytëzuar fort nga shteti shqiptar, përtej politikave dhe interesave partizane dhe partiake. Shqipëria fiton një rol të ri rajonal në sigurimin e burimeve të reja dhe në diversifikimin e furnizimeve energjetike për vendet e rajonit dhe për vendet e BE. BE dhe Europa kanë dekada, që luftojnë herë me sukses e herë pa sukses për pakësimin e vartësisë energjitike nga Rusia, e cila e ka përdorur gjithmonë gazin e saj si një instrumenti presioni politik dhe ndikimi mbi vendet europiane. Gazi i lëngshëm natyror, LNG, nga SHBA është një nga alternativat e reja të pavarësisë energjitike, i cili ka hyrë shumë vonë, në vitin 2019, në tregun energjetik europian. Por ai ka avantazhin e eksportit të tij nga SHBA në kontinentin europian nëpërmjet tankerave, pa ndërtuar gazsjellësa përmes oqeanit. Efekti i përdorimit të tij ka qenë i menjëhershëm në tendencën e pakësimit të vartësisë energjitike të vendeve europiane nga gazi rus.”Transeuropean policy studies association” theksonte në një studim të vetin në 24 shkurt 2021 se “LNG amerikane është fundi i armës energjitike të Moskës”.

Në kuadrin e përplasjes energjetike midis BE, që kërkon diversitet burimesh dhe pakësim të vartësisë energjetike nga Moska, dhe Rusisë që kërkon ruajtjen e monopolit dhe të dominimit energjetik europian, rajoni i Ballkanit është shndërruar në një fushë konkurrence të ashpër energjetike dhe strategjike midis dy palëve. Në Ballkan kalojnë gazsjellësi i ri rus “Ballkan Stream” dhe “Korridori Jugor i Gazit” i BE. Rusia ka arritur që në strategjinë dhe në politikën e saj energjetike të ndikimit rus të përfshijë edhe disa shtete të BE si Bullgaria dhe Hungaria, apo shtete kandidate si Serbia. Kështu që rajoni i Ballkanit ka marrë një rëndësi strategjike për gazsjellësit dhe për sigurimin e burimeve të pavarura energjetike joruse. Në këtë vorbull energjetike të rajonit furnizimet me LNG nga SHBA përbëjnë një garanci të madhe të pavarësisë energjetike të vendeve aleate të NATO-s dhe të BE. Nuk duhet harruar se SHBA janë prodhuesi më i madh i gazit natyror në botë.

SHBA po i kushtojnë një vëmendje të madhe në planin strategjik krijimit të terminaleve të reja të LNG në Ballkan në funksion të sigurisë energjetike ballkanike dhe europiane. Në 29 janar 2021 u inagurua zyrtarisht në ishullin Kërk të Kroacisë terminali i ri LNG si projekt amerikan. Terminali i ri kroat i LNG ka nje kapacitet prej 2,6 miliardë metra kub në vit. Kroacia, e cila në vitin 2019 ishte marrësja më i madhe në Ballkan e gazit rus me një kuote prej 2,8 miliardë metra kub në vit, teorikisht mund ta mbyllë brenda natës bashkëpunimin me Gazpromin rus. Kaq kërkesa ka për LNG, sa që terminali kroat është prenotuar qysh tani për një periudhe prej tre vitesh. Ballkani po merr një rëndësi energjetike çdo ditë e më të madhe, ndaj SHBA nënshkruan në 12 mars marrëveshjen të ndërtojnë terminalin e ri të LNG në Shqipëri, e cila ndodhet në qendër të Ballkanit dhe në një stacion më të afërt të rrugës detare të Mesdheut.

Prioritarizimi strategjik dhe energjetik i Shqipërisë në rajon nga SHBA është një garanci shtesë afatgjatë për forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik midis dy shteteve. Ai përbën një kontribut për zhvillimin ekonomik dhe për sigurinë e stabilitetin e Shqipërisë, sepse llogaritë strategjike dhe gjeopolitike kërkojnë një stabilitet dhe marrëdhënie të veçanta dypalëshe, të pakufizuara nga koha apo nga konjukturat.

Ndërtimi i terminalit të importit dhe shpërndarjes rajonale të gazit amerikan LNG duhet konsideruar në prizmin e një parametri të ri të rolit strategjik të Shqipërisë në Ballkan. Është një faktor, që do ta lidhë edhe më shumë Shqipërinë me interesat strategjike të SHBA në rajonin e Ballkanit. Është në faktor, që pritet të ndikojë për së mbari në trajtimin e gjitha çeshtjeve, që lidhen me interesat e kombit shqiptar dhe të çeshtjes së pazgjidhur shqptare në rajon.

Në duelin historik dhe strategjik me Serbinë Shqipëria fiton një avantazh në fushën energjitike në rivalitetin dhe në ambicjen për të qenë qendra të shpërndarjes rajonale të energjisë. Rusia është përpjekur shumë t’i japë aleatit të saj të vetëm strategjik në Ballkan, Serbisë, pozicionin e një qendre rajonale të shpërndarjes së gazit rus. Ndaj Rusia, edhe në gazsjellësi e saj të mëparshëm të dështuar “South Stream”, edhe në gazsjellësin e saj të tanishëm që nisi funksionimin “Balkan Stream”, i ka planifikuar Serbisë një rol qendror dhe jo thjeshtë tranzitues të gazit rus. Politika antiatlantike e Rusisë dhe e Serbisë i bashkon të dy shtetet në këtë objektiv. Rusia e ka vënë bastin e ndikimit të saj në Ballkan te Serbia, për ta përdorur si instrument të diplomacisë ruse të energjisë apo të diplomacisë ruse të vaksinave. Gjithçka ka qëllim dhe përmbajtje gjeopolitike. Presidenti serb Vuçiç inaguroi me pompë të madhe në 1 janar 2021 fillimin e furnizimeve të gazit rus nga gazsjellësi “Balkan Stream”, duke deklaruar se Rusia e ka bërë Serbinë një qendër rajonale të shpërndarjes së gazit rus në rajon. Presidenti Vuçiç shpalli me bujë në 17 shkurt se Serbia do të bëhet edhe qender rajonale e shpërdarjes së vaksinave, sepse Rusia do të ndërtojë në Serbi fabrikat dhe laboratorët që do të prodhojnë sëbashku 20 milionë vaksina, në një kohë që nevojat e Serbisë janë vetëm për gjashtë milion. Vendimi i Kremlinit për prodhimin e vaksinave ruse në Serbi është në funksion të diplomacisë ruse të vaksinave për ndikim në rajon. Qëllimi rus është që Serbia, si qendër rajonale gazi rus apo vaksine ruse, të jete poli i ndikimit rus në Ballkan. Jo rastësisht mediat proqeveritare ruse po fryjnë me të madhe tezën se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen ekonomikisht me Serbinë, siç shkruante portali rus “balkanist. ru” në 13 mars, ku hyminzonte projektin serb të “mini Shengenit“ si “një format i shkëlqyer i forcimit të lidhjeve ekonomike”.

Në situatën kur qendërzimi i Serbisë në rajon nga Rusia paraqet një kërcënim serioz për interesat jetike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar, roli i ri i Shqipërisë nga SHBA si qendër e shpërndarjes së gazit amerikan në Ballkan sjell një forcë të re strategjike dhe gjeopolitike në përballjen shqiptare në rajon me politikat jomiqësore të shteteve si Rusia dhe Serbia.

Shndërrimi i Shqipërisë në një qendër të shpërndarjes së gazit amerikan LNG në Ballkan forcon gjithashtu lidhjet dhe nevojën e BE për Shqipërinë. Sepse sigurimi i burimeve energjetike nga SHBA është pakësim i presionit dhe i ndikimit të Rusisë në vendet e BE. Siç theksoi ambasadorja amerikane Juri Kim në 12 mars: “SHBA prej kohësh kanë mbështetur rolin unik të aleatit të NATO-s, Shqipërisë, në avancimin e sigurisë energjitike të Europës”.

Pozita e Shqipërisë si pikë kyçe hyrëse e gazit amerikan LNG në Ballkan është një shans historik për të cilin duhet të punojë fort edhe vetë Shqipëria dhe të mos mendojë se vetëm amerikanët duhet t’i bëjnë gjërat. Shqipëria duhet të kuptojë se ky është një shans shtetëror dhe kombëtar, i cili nuk duhet penguar nga meskinitetet dhe lojërat partiake apo personale të krerëve politikë, por duhet të ketë konsensusin e plotë të të gjitha forcave politike për të vazhduar punën e njëra-tjetrës në këtë rol të rëndësishëm të Shqipërisë. Shqipëria duhet të tregohet e vëmendshme, sepse kur është fjala për projektet strategjike dhe gjeopolitike si kjo e terminalit të gazit amerikan LNG në vendin tonë, nuk do të mungojnë presionet e llojeve të ndryshme nga shtetet kundërshtare të një roli energjitik amerikan të Shqipërisë. As Rusia, as Serbia dhe as Greqia nuk duken të kënaqura nga ky projekt i rëndësishëm amerikan në Shqipëri.

Kemi shembullin e qartë të presioneve të forta, që Rusia i ka bërë Turqisë për të mos vënë terminalet e saj të gazit të lëngshëm në dispozicion të furnizimeve amerikane për Europën me LNG. Rusia i ka bërë presione të forta Greqisë që të vonojë përfundimin e terminalit të saj të gazit të lëngshëm me qëllim që mos jetë i përdorshëm nga SHBA. Në 20 janar 2021 “Atlantiçouncil.org” shkruante: “Presioni rus mbi Bullgarinë ka vonuar kompletimin e lidhjes me terminalin LNG në Greqi. Rusia nuk don që të hapet ai terminal”.

Ndjenjat antiamerikane dhe antiatlantike janë të gjalla në qarqet e larta të politikës shqiptare, ndonëse të nëndheshme, dhe në Shqipëri ata kanë pozita të forta ekonomike, politike dhe partiake. Ndaj nuk duhet përjashtuar që lobet ruse, serbe apo greke të përpiqen të devijojnë apo të sabotojnë projektet e mëdha strategjike amerikane në Shqipëri. Nuk duhet harruar se Shqipëria ka disa përvoja të hidhura në këtë drejtim si viti 1997 apo viti 2013. Duket se jo pa arsye revista prestigjioze amerikane “Newsweek” në 15 mars 2021 tërhiqte vëmendjen se “Në Shqipëri Kremlini ka shfrytëzuar konfiktet e brendshme duke nxitur përçarjet politike”.

Ndaj ky shans i ri historik, që vjen me projektin amerikan të shndrrimit të Shqipërisë në një qendër të furnizimeve energjitike amerikane për Ballkanin, duhet kapur e zhvilluar fort, për të mirën e popullit, për të mirën e kombit dhe të aleancës strategjike me SHBA dhe me NATO-n, të cilat historikisht kanë ndihmuar Shqipërinë të zërë vendin e merituar në rajonin e Ballkanit.

/Botuar në Gazetën Dita

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat