Dhjetra vende në Europë, Amerikë dhe Azi po përballen me nxehtësinë ekstreme dhe rrezikun e zjarreve në pyje, ndërsa kriza klimatike po ndryshon botën.
Organizata Botërore Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara (WMO) tha të hënën se do të shqyrtojë temperaturat rekord të vendosura në shumë rajone nga Shtetet e Bashkuara në Kinë, ndërsa efektet e ndryshimeve klimatike po shfaqen në formën e zjarreve nga Kanadaja në Greqi, ndërsa 41 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në Korenë e Jugut.
LEXO EDHE: Zjarret bëjnë namin në Greqi dhe Mesdhe, dëme të konsiderueshme/ Ende nuk e ke siguruar shtëpinë?!
WMO vlerëson se rekordi për temperaturën më të lartë të regjistruar në Europë, 48.8 gradë Celsius në vitin 2021 në Siçili mund të “thyhet” këtë javë, pasi në 23 qytete të Italisë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për shkak të temperaturave ekstreme.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Francë, ku shërbimi shëndetësor publik ka paralajmëruar për rrezikun e temperaturave të larta. Në Spanjë, më shumë se 4,000 njerëz u detyruan të evakuoheshin nga rezorti turistik në La Palma, në Ishujt Kanarie, për shkak të një zjarri të madh pyjor, ndërsa të dhënat e mbledhura nga agjencia Bloomberg tregojnë se temperatura në Madrid do të tejkalojë 40 gradë Celsius.
Në Kanada, e cila është prekur nga qindra zjarre pyjore që nga fillimi i verës, më shumë se 570 zjarre janë jashtë kontrollit. Në Phoenix të Shteteve të Bashkuara, temperatura është mbi 43 gradë Celsius për 18 ditë radhazi. Në të njëjtën kohë, megjithatë, paralajmërimet lokale për përmbytje mbeten ende në fuqi në bregun lindor.
Në Kinën veriperëndimore, termometri shënoi 52.2 gradë të dielën, gjë që nëse konfirmohej do të përbënte një rekord kombëtar. Sipas WMO temperatura më e lartë e regjistruar, 56,7 °C, u regjistrua në vitin 1913 në të ashtuquajturën Lugina e Vdekjes, Kaliforni.
Temperatura e dytë më e lartë, 55 gradë, është regjistruar në 1931, në Tunizi.
LEXO EDHE: Ndryshimet klimatike, një këmbanë e fortë alarmi! Kërcënim edhe për Shqipërinë