Investitorët e huaj sollën në Shqipëri një rekord prej 1.37 miliardë euro gjatë vitit 2022.
Nga projektet e reja në fushën e energjisë elektrike dhe industrisë nxjerrëse, e deri tek blerjet e pronave nga jorezidentët, vendi ynë regjistroi një fluks të madh investimesh.
Holanda kryeson listën e origjinës së investitorëve të huaj, ku përveç gjigandit të naftës “Shell”, një numër i madh kompanish janë të regjistruara në këtë shtet, si “Statkraft”.
Lista vijon me investimet nga Italia, Gjermania, Austria dhe Kosova.
Por edhe kapitali hungarez dyshohet të jetë ndër të parët në listë, pas lëvizjeve në tregun e telekomunikacionit dhe atë bankar, megjithatë klasifikohet nga Banka e Shqipërisë tek zëri të tjerë për arsye konfidencialiteti.
Dhe nëse flasim për konfidencialitet, në rritje të ndjeshme këtë vit edhe investimet që kanë buruar me para nga parajsat fiskale, si Panamaja dhe Ishujt Kajman me thuajse 20 milionë euro.
Ndërkohë, gjatë këtyre dy viteve të fundit, fjala investim i huaj po riformulohet, teksa 291 milionë euro u shpenzuan për të blerë pasuri të paluajtshme.
Pas real estate, investimet janë përqëndruar kryesisht në industrinë nxjerrëse dhe sektorin e energjisë elektrike.
Ndërsa sektorët e tjerë prioritarë si turizmi, kanë thithur vetëm 12 milionë euro investime të huaja dhe bujqësia zero lekë.