Dollari amerikan është dobësuar lehtë gjatë sesionit të sotëm, pas fitimeve të realizuara një ditë më parë, për shkak se shitjet me pakicë në SHBA rezultuan më mirë se parashikimet e analistëve. Këto të dhëna pritet t’i japin më shumë hapësira Rezervës Federale për të shtrënguar politikat monetare.
Sipas të dhënave të Departamentit të Tregtisë në SHBA, shitjet me pakicë u rritën me 3% gjatë janarit, duke u dhënë fund dy muajve me radhë në rënie.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 103.8, shumë pranë nivelit më të lartë në 6 javët e fundit. Ndërkohë, gjatë sesionit të sotëm, euro ka fituar një pjesë të humbjeve, duke u ngjitur pranë 1.07 dollarëve.
Analistët shprehen se, ekonomia amerikane po performon shumë mirë dhe për këtë arsye, Rezerva Federale ka më shumë hapësira për të rritur normat e interesit.
Në këtë situatë, analistët presin që deri në korrik të këtij viti, norma bazë e interesit të arrijë në 5.2%. Në anën tjetër, paundi britanik është gjendur nën presion, pasi inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar u ngadalësua në 10.1%, gjatë janarit, kundrejt pritshmërive për një nivel prej 10.3%.
Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin është rritur ndjeshëm dhe po tregtohet në mbi 24 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1680 dollarë.