Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se gjasat që ekonomia shqiptare të kalojë në recesion në vitin 2023 duken shumë të ulëta.
Në një deklaratë për mediat, Ibrahimaj u shpreh se qeveria do të jetë vigjilente dhe e përgatitur për çdo skenar.
LEXO EDHE: Banka e Shqipërisë rrit përsëri normën bazë, e çon në 2.25%, inflacioni më i lartë sesa pritej
“Mendojmë se gjasat për një recesion të ekonomisë sonë gjatë vitit të ardhshëm, aktualisht duken shumë të ulëta. Edhe nëse një pjesë e ekonomive të BE-së apo edhe më gjerë do të hynin në një recesion të plotë, ne vijojmë të mbajmë këtë parashikim.
Megjithatë, ne do të jemi vigjilentë për çdo skenar dhe kemi plane alternative përshtatjeje, në çdo rast të përballjes me skenarë pesimistë.
Goditja globale nga kahu i ofertës sigurisht që ka pasur dhe do ketë një ndikim negativ në ekonominë tonë, siç ka pasur në vendet e rajonit e më gjerë. Deri tani ekonomia e ka përballuar mirë. Rritja ekonomike në gjysmën e parë 2022 4.2%.
Papunësia u ul në 11.3 % në 6 muajt e parë. Punësimi u rrit me 4.3% në gjysmën e parë të vitit. Kemi pasur një rritje me 35% në flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte.
Aktualisht leku është nënçmuar me 8% ndaj dollarit dhe mbiçmuar ndaj euros me 4%.
Inflacioni në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit dhe mesataren e BE-së ka qenë ndjeshëm më i ulët. Në gusht 8% inflacioni”, deklaroi Ibrahimaj.