18.5 C
Tirana
Sunday, April 26, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet95% mundësi ta zgjidhësh vetë, përse nuk ju duhet një "Avokat Sigurimesh"

95% mundësi ta zgjidhësh vetë, përse nuk ju duhet një “Avokat Sigurimesh”

Nëse jeni i pakënaqur nga një shërbim i ofruar nga shoqëritë e sigurimit ose nëse gjykoni se shoqëria e sigurimit nuk i përmbahet kushteve të vendosura në kontratën e sigurimit, më parë se të angazhoni një avokat “të specializuar për çështjet e sigurimeve”, i cili me siguri do t’ju kushtojë 33–50% të dëmshpërblimit, mund të paraqisni ankesë në mënyrë të pavarur.

Hapi i parë: Ankesa mund të depozitohet pranë shoqërisë së sigurimit dhe bëhet me shkrim, në formën e një shkrese ose formë elektronike. Prisni deri në 15 ditë pune nga data e marrjes së kërkesës.

Hapi i dytë: Nëse nuk keni marrë një përgjigje nga shoqëria e sigurimit brenda 15 ditëve, ose nëse jeni i pakënaqur me mënyrën e trajtimit të ankesës tuaj, mund të depozitoni ankesa në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Kjo është e drejtë juaja e përcaktuar në ligjin për veprimtarinë e sigurimeve dhe risigurimeve, dhe e rregulluar me Rregulloren nr. 35/2015 të AMF.

AMF verifikon nëse ankesa është e plotë dhe e depozituar sipas kërkesave; ankesa e paplotë kthehet për plotësim, ndërsa ankesa anonime nuk shqyrtohet. AMF mund të kërkojë dokumente dhe informacion nga shoqëria e sigurimit ose nga ankimuesi për të sqaruar çështjen. Autoriteti mund të organizojë takime dhe të bëjë verifikime të drejtpërdrejta për të zgjidhur ankimin.

Autoriteti shqyrton ankimin dhe njofton ankimuesin brenda 30 ditëve kalendarike nga data e depozitimit. Pas përfundimit të shqyrtimit, nëse konstatohet se shoqëria e sigurimit nuk ka zbatuar kërkesat e ligjit dhe/ose kushtet e kontratës së sigurimit, AMF i kthen çështjen shoqërisë së sigurimit për rishqyrtim, duke vënë në dijeni edhe ankimuesin.

Si depozitohet ankesa?
Depozitimi mund të bëhet:

  • Në zyrën e protokollit të Autoritetit, në adresën: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Rruga “Dora D‘Istria” Nr. 10, Kutia Postare 8363, Tiranë, Shqipëri;

  • Me postë elektronike në adresën [email protected];

  • Online, nëpërmjet faqes zyrtare të AMF-së: https://crm.amf.gov.al/;

  • Duke telefonuar ose kërkuar takim në numrin +355 (0)4 225756, në rast se nuk keni mundësi të shkruani.

Mundësi të tjera autodidakte:

Nuk do t’ju duhet avokat as për të verifikuar policën tuaj, as për të kontrolluar historikun e dëmeve të mjetit tuaj, as për të verifikuar statusin e dosjes së dëmit në kohë reale, as për të depozituar ankesa online, madje as për të bërë një përllogaritje paraprake të dëmit shëndetësor. Të gjitha këto mund të kryhen privatisht, me vetëm një klikim, në faqen zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, amf.gov.al.

Vetëm në rast se as pas ndërhyrjes së AMF në kompaninë e sigurimeve, moment për të cilin propabiliteti i zgjidhjes bëhet 95-96%, nuk gjeni zgjidhje, atëherë Ju lind e drejta për të pajtuar një avokat. Të paktën, ai nuk do t’ju tarifojë për hapat që mund t’i ndërmerrnit vetë, por vetëm për padinë dhe përfaqësimin gjyqësor, shërbimin mbrojtës.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat