15.5 C
Tirana
Saturday, October 5, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetGati 1/4 e popullsisë mbi 16 vjeç s'përballoi financiarisht ekzaminimet shëndetësore dhe...

Gati 1/4 e popullsisë mbi 16 vjeç s’përballoi financiarisht ekzaminimet shëndetësore dhe dentare më 2019

Gati çereku i popullsisë së rritur në vendin tonë e patën të pamundur të përballojnë financiarisht në vitin 2019 ekzaminimet mjekësorë dhe trajtimin dentar, raportoi INSTAT.

Anketa e INSTAT ka zbuluar se, nevojat e paplotësuara për ekzaminim ose trajtim mjekësor ose dentar lidhen me një sërë arsyesh ku mund të përmenden mos përballimi financiar i shërbimit (shumë i shtrenjtë), pritja në listë, mungesa e kohës për shkak të punës, largësia ose mungesa e transportit, në pritje se mos kalon vetë problemi i tyre shëndetësor, etj

Në vitin 2019, 82,0% e individëve 16 vjeç e lart kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë shumë mirë ose mirë kundrejt 81,8% që ishte në vitin 2018.

Lexo edhe: EuroStat: 13.5% e shqiptarëve nuk plotësojnë nevojat për ekzaminim mjekësor pasi janë të shtrenjta, më e larta në Europë

Bazuar në vetë-perceptimin e individëve 16 vjeç e lart 4,8% e individëve kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore ka qenë keq ose shumë keq, duke pësuar rënie me 0,3 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018.

Në Shqipëri paketa e rimbursimit të medikamenteve është shumë e ulët dhe nuk plotëson nevojat e gjera të popullatës. Gjithashtu ndryshe nga vende të tjera në Shqipëri shërbimet dentare janë të përjashtuara nga rimbursimi.

Një tjetër raport i Eurostat tregoi se 13.5% e shqiptarëve vetë-deklaruan në vitin 2019 se ata nuk kanë mundësi që të plotësojnë nevojat për ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta. Përqindja më e lartë është në Veri, me 21.3%. Më pas renditet Jugu i vendit me 11.6% dhe më të ulëtën e ka Qendra, me 9.3%.

Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit dhe Europës, përqindja e personave që vetë-deklarojnë se nuk kanë mundësi të kryejnë ekzaminime shëndetësore, pasi janë shumë të shtrenjta, është shumë më e lartë.

Pas nesh renditet Kosova, me 8.45 (për vitin 2018), Serbia e ka këtë tregues 2.6%, Turqia 2.4%, Maqedonia e Veriut 1.6%, Mali i Zi 0.1% (për vitin 2018). Të lartë e ka këtë tregues edhe Greqia, në 7.5%, ndërsa për vendet e tjera të Europës nuk shkon më shumë se 4%. P.sh. në Itali, përqindja e personave në pamundësi për t’u ekzaminuar është 1.3%, ndërsa në Spanjë, Maltë, Suedi, Slloveni është zero.

Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u luhatur në mes 2.5-3% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës. Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që, sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë.

Gjithashtu fondet e pakta janë kanalizuar në koncensione që nuk e kanë lehtësuar barrën e sëmundjeve dhe mbështetjen e shtresave të varfra.

Gjatë 5 viteve të fundit qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar rreth 320 milionë euro pagesa për katër koncesione në sektorin e shëndetësisë për 10 vite, duke transferuar shërbimet dializës, kontrollit bazë shëndetësor, Check Up, sterilizimit në spitale dhe shërbimit laboratorik nga shteti në privat.

Ekspertët të sektorit të shëndetësisë kanë analizuar se gjithnjë e më shumë burimet financiare për sektorin po shkojnë në drejtimet dytësore dhe tretësore, ndërsa parandalimi i sëmundjeve dhe trajtimi i tyre kërkon investime në pajisje dhe teknologji të reja. Realiteti është edhe më i trishtë, pasi edhe numri i shtretërve nuk mjafton në shumicën e pavijoneve të QSUT-së.

Megjithëse koncesionet PPP në sektorin e shëndetësisë kanë hyrë në vitin e pestë, ka shumë pak transparencë ndaj tyre dhe analizat e kosto-përfitimeve mungojnë. Por të dhëna të fragmentuara që burojnë nga dokumente zyrtare tregojnë se koncesionet po rezultojnë me kosto shumë herë më të larta se përfitimet.

Lexo edhe: Si të përfitosh 150 mijë euro shërbime mjekësore për vetëm 2 euro

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat