5.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreKryesoreCovid-19, a ka dështuar imuniteti i grupit?

Covid-19, a ka dështuar imuniteti i grupit?

Nga Dr. Erion Dasho
Imuniteti i grupit është një formë e mbrojtjes së popullatës ndaj sëmundjeve infektive. Ai vepron kur një përqindje e lartë e individëve në një shoqëri imunizohen në raport me një “mikrob” nëpërmjet vaksinës ose pasi kanë kaluar sëmundjen që shkaktohet nga mikrobi në fjalë. Imunizimi bën të mundur që, kur mikrobi hyn sërish në popullatë, personat e imunizuar i rezistojnë atij duke sjellë zhdukjen e “valës” së mundshme të infektimit dhe duke mos lejuar të sëmuren as edhe personat që nuk kanë imunitet.
Pra, në sajë të imunitetit të grupit, edhe personat që nuk kanë imunitet (nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe nuk janë vaksinuar) nuk preken nga mikrobi sepse i mbron “grupi” pra tërësia e individëve të imunizuar. Përgjatë gjithë epidemisë së COVID-it, arritja e imunitetit të grupit u shndërrua në qëllimin kryesor të programeve të vaksinimit, apo të përhapjes së kontrolluar të virusit. Fillimisht, u besua se kur të imunizohej rreth 70% e popullsisë, do të arrihej imuniteti i grupit, shifër e cila më vonë u ngrit në 80%, madje edhe në 85%.
Izraeli u bë vendi i parë që imunizoi një përqindje të popullsisë që besohej se garantonte imunitet grupi. Më pas kjo arritje u replikua nga vende të tjera si Malta, Islanda, Emiratet Arabe, Ishujt Sejshell, etj.
Shqipëria në periudhën mars-prill 2021 arriti një shkallë imuniteti mbi 70% si rezultat i imunitetit natyror (lidhur me faktin që mbi 2 milion shqiptarë a kaluan COVID-in deri në këtë datë). Shkalla e imunizimit mbi 70% arriti të kufizonte përhapjen e COVID-it në Shqipëri duke patur ditë në muajin qershor kur numri i rasteve ditore numërohej me gishtat e një dore.
CILAT ISHIN PRITSHMËRITË?
Bazuar në parimet e shkencës së epidemiologjisë dhe sëmundjeve infektive, arritja e imunitetit të grupit nënkupton ndërprerje të zinxhirit të transmetimit të sëmundjes dhe tejkalim të problemit shëndetësor në fjalë. Në këtë mënyrë shoqëria njerëzore ka zhdukur linë dhe ka vendosur nën kontroll fruthin, poliomelitin, difterinë, tetanozin dhe shumë sëmundje të tjera të rrezikshme. Pikërisht kjo pritej të ndodhte edhe lidhur me COVID-in dhe, në fakt, ishte duke ndodhur! Izraeli ju rikthye jetës normale dhe numri i rasteve vazhdonte të mbetej i papërfillshëm. Beteja e COVID-it dukej e fituar dhe të gjithë vendet hynë në garën e vaksinimit duke synuar përqindjen që garantonte qetësinë.
TË ÇARAT E PARA DHE TRONDITJA
E çara e parë erdhi nga Ishujt Sejshell. Vendi që kishte vaksinuar gati 100% të popullatës pati shpërthimin e parë të vërtetë të COVID-it; pati edhe vdekje jo të pakta. E njëtja gjë ndodhi edhe në Kili ku ndonëse mbi 70% të popullatës ishte vaksinuar përsëri pati shërthim rastesh dhe vdekjesh.
Më pas, erdhi vala e radhës në Britaninë e Madhe gjatë të cilës u konstatuan me dhjetëra mijëra raste të reja në ditë. Edhe vdekjet në këtë shtet pati momente kur ju afruan ose edhe kaluan 150 humbje jete në ditë.
Izraeli, vendi i parë që arriti imunitetin e grupit, gjithashtu cedoi. Që prej mesit të korrikut, Izraeli shënon disa mijëra raste të reja në ditë, ndërkohë që gushti shënoi edhe rritje të vdekshmërisë.
Shqipëria që e arriti imunitetin e grupit në mënyrë natyrale i dha shenjat e para të rritjes në korrik dhe pësoi valën e radhës në gusht.
PËRFUNDIMI
Përfundimisht, si vendet që kishin arritur imunitetin e grupit nëpërmjet vaksinës, ashtu edhe vendet që këtë e kishin arritur në mënyrë natyrale u dorëzuan para variantit delta. Të dhënat laboratorike provuan se shumë persona të vaksinuar kishin të njëjtën ngarkesë virusesh si edhe personat e pavaksinuar duke luajtur rol në transmetimin e mëtejshëm të infeksionit.
Fatmirësisht, personat e vaksinuar ndonëse infektohen vetë dhe kanë gjasa të infektojnë edhe të tjerët, janë më të mbrojtur nga komplikacionet dhe vdekja. Kështu midis 160 milion amerikanëve të vaksinuar, pati rreth 1,500 vdekje, ose një vdekje për 110,000 të vaksinuar.
SI PËRFUNDIM, MUND TË THUHET SE SI VAKSINA, ASHTU EDHE IMUNITETI NATYROR MBROJNË NGA KOMPLIKACIONET DHE VDEKJA, POR NUK KANË ARRITUR TË SIGUROJNË IMUNITETIN E GRUPIT NË RAPORT ME VARIANTIN DELTA!
A EKZISTON NJË ZGJIDHJE?
Një përafrim i rëndësishëm për të garantuar sukses në parandalimin e COVID-it, i diskutuar që prej fillimit të pandemisë ka qënë ai i “djathit zviceran”. Në këtë model, masat e marra kundër COVID krahasohen me fetat e prera të djathit ku secila prej tyre e marrë në veçanti ka hapësira që lejojnë “penetrimin” e lirë të virusit, ndërsa të vendosura njëra mbi tjetrën, një fetë mbyll vrimat e tjetrës duke kijuar kësisoj një barrierë të papërshkueshme.
Një vend që po e aplikon këtë përafrim sot është Gjermania. Me 71% të personave të vaksinuar me një dozë dhe 65% me dy doza, Gjermania ndodhet pas Britanisë që këto tregues i ka 81% dhe 70%. Por ndërsa Britania gjatë kësaj vere arriti pikun prej mbi 54 mijë raste ditore, në Gjermani ky pik ka arritur deri në më pak se 5,500 raste ditore.
Ajo që Gjermania ka bërë ndryshe nga shumë vende është mosheqja dorë nga masat e tjera si testimi masiv (çdo qytetar gjerman ka të drejtën e një testi falas në javë), distancimi fizik, mbajtja e maskës mjeksore në çdo mjedis të mbyllur publik, disiplinimi në përdorimin e mjediseve të mbyllura (në Gjermani kërkohet pasaportë mjeksore për të frekuentuar restorantet, baret, etj.), disiplinimi i hyrjeve në kufi, etj.
Pikërisht, këto masa gjithëpërfshirëse mund të jenë shpjegimi për situatën e favorshme epidemiologjike në Gjermani në raport me vendet e tjera.
ÇFARË DUHET TË BËJË SHQIPËRIA?
Në kushtet aktuale, Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtin përafrim duke garantuar masa gjithëpërfshirëse. Për momentin, Shqipëria i ka përmbledhur masat anti-COVID në vaksinimin (ku së fundi, në gamën e zgjedhjeve të qytetarëve u shtua edhe vaksina e Pfizer), testimin dhe trajtimin në spital të pacientëve që manifestojnë komplikacione. Ora policore nuk po përmendet sepse kjo është një masë qesharake dhe pas asnjë efekt të provuar.
Për të kontrolluar përhapjen e mëtejshme të COVID-it dhe minimizuar dëmet e tij, Shqipëria sot duhet të aplikojë edhe këto masa shtesë:
》Imunizimin me vaksina cilësore të të gjithë personave që nuk kanë kaluar COVID-in dhe atyre të vaksinuar me CoronaVac.
》Hartimin e një politike të qartë për rifillimin e shkollës, kur tashmë është provuar se edhe fëmijët preken dhe luajnë rol në transmetim.
》Aplikimin e parimit të njohur Testo-Gjurmo-Izolo-Trajto, duke vendosur theksin sidomos tek izolimi i rasteve aktive dhe mbikqyrja për t’u garantuar se kjo masë po zbatohet.
》Monitorimin e kujdejshëm shëndetësor të rasteve të konfirmuara apo të dyshuara midis grupeve në risk.
》Rikthimin e përdorimit të maskave të cilësisë mjeksore në mjediset e mbyllura dhe transportin publik.
》Gatishmërinë për të reaguar në kohë me vendosjen e kufizimeve të arsyeshme të cilat janë provuar se luajnë rol në parandalimin e transmetimit të infeksionit.
Në kohën kur është qartësuar se imuniteti i grupit dështon përballë varianteve të reja të COVID-it, e vetmja zgjidhje mbetet përafrimi i “djathit zviceran” derisa çdo personi të interesuar t’i jetë ofruar mundësia e vaksinimit me një vaksinë cilësore dhe bazuar në zgjedhjen e lirë.
Në këtë moment, mbrojtja e jetës dhe shëndetit nga COVID-i kthehet në një çështje të zgjedhjes personale dhe përgjegjësia e institucioneve fokusohet tek zbatimi i masave të shëndetit publik.
Kështu edhe Shqipëria do t’i bashkohet më në fund vendeve të tjerë europianë në përpjekjet për parandalimin e COVID-it dhe mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve…
spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat