Mbi 23,000 persona të siguruar kanë shfrytëzuar sigurimet shëndetësore private vitin e kaluar për të mbuluar shpenzimet e ekzaminimeve, ndërhyrjeve, trajtimit dhe shërbimeve të tjera mjekësore. Ndërsa 9 kompani sigurimesh paguan 3.4 milionë euro shpenzime mjekësore për klientë që kishin blerë Sigurimin Privat të Shëndetit.
Këto janë të dhënat zyrtare nga Agjencia e Mbikëqyrjes të Sigurimeve në Maqedoninë e Veriut, sipas së cilës, numri i qytetarëve që kanë sigurimin privat të shëndetit është rritur me 60% gjatë vitit të shkuar duke kaluar shifrën e 182 mijë të siguruarave.
Sigurimi Privat i Shëndetit mbetet produkti i sigurimit me rritjen më të shpejtë që nga fillimi i pandemisë në shtetin fqinj.
LEXO EDHE: Më të mirët në treg/ Shëndeti i besohet SIGAL UNIQA-s
Vitin e kaluar janë lidhur mbi 18 mijë kontrata për këtë klasë sigurimi, duke e çuar numrin e kontratave aktive në 62 mijë.
Janë vetë qytetarët që investojnë personalisht në sigurimet e shëndetit privat por nuk mbeten pas as kompanitë që e ofrojnë këtë gjë si bonus për punonjësit e tyre.
Sipas AMS, për mbulimin e shpenzimeve në Sigurimin e Shëndetit Privat, 10 kompani të sigurimit jo-jetë gjatë vitit 2021 kanë arkëtuar gjithsej 405 milionë denarë (6,6 milionë euro) nga të siguruarit.
Vitin e kaluar, investimet në sigurimet e shëndetit privat janë rritur me 48% (2.1 milionë euro) krahasuar me vitin 2020.
Kompanitë e sigurimeve kanë paguar mbi 23,000 dëme vitin e kaluar, respektivisht kërkesa për të mbuluar shpenzimet e qytetarëve të siguruar për shërbimet mjekësore të mbuluara nga sigurimi i shëndetit privat.
Numri i kërkesave për të mbuluar shpenzimet e mbuluara nga sigurimet shëndetësore private vitin e kaluar është dyfishuar krahasuar me vitin 2020.
Nëntë kompani të sigurimit jo-jetë kanë paguar vitin e shkuar mbi 211 milionë denarë (3,4 milionë euro) shpenzime për shërbime mjekësore të mbuluara nga policat e sigurimit të shëndetit privat ndërsa shuma e mjeteve të paguara për mbulimin e shpenzimeve mjekësore vitin e kaluar është dyfishuar në krahasim me vitin 2020.
Dëmi më i madh i paguar për sigurimin shëndetësor varion nga 277.000 denarë deri në 615.000 denarë (nga 4.500 euro deri në 10.000 euro).
Sigurimi Privat i Shëndetit ul në mënyrë indirekte presionin ndaj institucioneve publike shëndetësore në mënyrë që këta të siguruar të kenë mbulim për të përdorur shërbimet e spitaleve private pasi shërbimet mjekësore financohen nga kompanitë e sigurimit dhe jo nga buxheti i shtetit.
LEXO EDHE: RMV/ Rritje e tregut të sigurimeve gjatë vitit 2021, UNIQA mes kompanive që paguan më shumë dëme