I gjithë vendi është përfshirë nga temperatura të ulëta. Sinoptikania Lajda Porja bëri të ditur në një lidhje direkte në Klan News se kulmi i të ftohtit do të jetë të martën. 25 Janari pritet në këtë mënyrë që të jetë edhe dita më e ftohtë.
Porja bëri të ditur se në qytetet kryesore në lindje temperaturat kanë shkuar nga -10 deri në -13 gradë Celsius. Ndërsa në fshatra temperaturat janë regjistruar edhe më të ulëta.
Ndërkohë të martën pritet që temperaturat të zbresin -15 deri në -16 gradë Celsius në zonat malore. Edhe zonat e ulëta do të hasin probleme ku në Qarkun e Elbasanit dhe të Beratit do të zbresin në -8 gradë Celsius.
Lexo edhe: I ftohti polar vjen në Shqipëri, “mbuloni” makinën tuaj me KASKO
“Parashikohet që kjo situatë të mbetet prezente të paktën deri ditën e mërkurë. Dita e nesërme do të ketë edhe kulmin e vlerave më ekstreme që do të regjistrojë kjo valë e ftohtë. Nesër pritet që termometri të zbresë -15,-16 gradë Celsius në zonat malore. Kryesisht problematike shtrirja në verilindje që nga Kukësi, Hasi, Bulqiza, Martaneshi, Librazhdi, por edhe qarku i Korçës të regjistrojë vlerat më të ulëta, madje temperatura të ulëta dhe të pazakonta edhe në zonat bregdetare. Pritet të jemi në vlerën -3 gradë Vlora, -2 gradë Saranda. Afërsisht -5 gradë priten vlerat në kryeqytet. Temperaturat më të ulëta në zonat e ulëta priten në Qarkun e Elbasanit dhe Beratit ku termometri do të zbresë -8 gradë. Do jetë edhe dita më e ftohtë, pasi e mërkura do të ketë një tërheqje të kësaj vale”, tha Porja.
Nga e mërkura do të nisë rritja graduale e temperaturave.
“Kjo tërheqje do të jetë gradualisht. Të mërkurën nuk do të kemi menjëherë një rritje të ngrohtë, por një rritje me të paktën 3 gradë, duke bërë që Ultësira Perëndimore të kalojë në vlera më të pranueshme. Deri në fundin e javës do të kemi përmirësim të dukshëm të motit në të gjithë bregdetin. Problematike mbeten zonat malore në -5,-6, vlera më të pranueshme. Mbyllet Janari me temperatura më tipike pas të mërkurës. Ndërkohë reshje nuk është se priten. Do ketë reshje të pakta të enjten ose të premten dhe do të jenë të papërfillshme”, tha Porja.
Sinoptikania tha se java do të jetë e thatë në përgjithësi dhe problematike do të jenë ngricat sidomos në zonat malore.