Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmërua liderët botërorë se pandemia e koronavirusit “nuk është as afër fundit”.
Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus ka bërë thirrje për kujdes ndaj supozimeve se varianti i ri Omicron është më i butë dhe se shkakton simptoma të lehta.
“Omicron mund të jetë më pak i ashpër, mirëpo narrativa se është sëmundje e lehtë, është mashtrim. Mos u gaboni, Omicron po shkakton shtrime në spital dhe vdekje, prandaj edhe rastet më të lehta janë duke ngarkuar sistemin shëndetësor”, u ka thënë ai gazetarëve nga selia e OBSH-së në Gjenevë.
Ai paralajmëroi udhëheqësit globalë se “me rritjen e madhe të rasteve të Omicron në nivel global, ka të ngjarë të shfaqen variante të reja, kjo është arsyeja pse gjurmimi dhe vlerësimi mbeten të rëndësishme”.
Paralajmërimi vjen pasi disa vende evropiane shënuan shifra rekord të të infektuarve me Covid.
Franca raportoi gati gjysmë milioni raste të reja ditore të martën.
Ndërkohë, për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 100,000 infeksione të reja me Covid u regjistruan në Gjermani brenda 24 orëve të mërkurën.