Modelet e zhvillimit të një vendi nuk do të mund të zbatohen nëse qeveria nuk investon tek grupet më të reja të popullsisë për t’i arsimuar për t’iu siguruar një ambient që të rriten të shëndetshëm.
Është ky përfundimi që arrin Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), i cili vë në dukje se nëse nuk hartohen politika për të adresuar emigracionin dhe shkallën në rënie të lindjeve, me shumë gjasa popullsia shqiptare do të vazhdojë të bjerë.
“Emigracioni i të rinjve jo vetëm që redukton në mënyrë të pashmangshme dhe eksponenciale shkallën kombëtare të lindjeve, por edhe ka ndikuar negativisht në ekonomi, mekanizmat e kujdesit social dhe modelet familjare, si dhe ka penguar rritjen dhe zhvillimin ekonomik duke gërryer kapitalin shoqëror të vendit”, thuhet në analizën për situatën e fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri.
Aktualisht, Shqipëria mbledh taksa të barasvlefshme me rreth 27.3 për qind të PBB-së së saj.
Sipas Kombeve të Bashkuara humbja e taksave nëpërmjet tregut informal të punës është një tjetër fushë e reformës fiskale që mund të përdoret për përfitime direkte të familjeve, ashtu si dhe rikuperimi i fondeve të humbura nga korrupsioni dhe keq menaxhimi.