Aksidenti i ndodhur në aksin Librazhd–Elbasan, ku një karrotrec i ngarkuar me një automjet u përfshi në një incident rrugor, ngre edhe disa çështje që lidhen me mbulimin nga sigurimi i detyrueshëm motorik.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ky është vetëm një interpretim paraprak i legjislacionit të sigurimeve, me karakter ilustrues dhe informues.
Ai nuk përbën ndarje fajësie apo përcaktim të përgjegjësisë për këtë aksident konkret, pasi dinamika e ngjarjes nuk është konfirmuar ende zyrtarisht dhe do të përcaktohet nga autoritetet kompetente.
Sigurime.Online nuk njeh dinamikën e ngjarjes, por ajo që mund të themi në vija të përgjithshme nga rasti e që çdo përdorues mjeti duhet të dijë është s sipas legjislacionit shqiptar për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, rimorkioja ose gjysmërimorkioja konsiderohet pjesë e mjetit motorik, pavarësisht nëse është ose jo e bashkuar me mjetin tërheqës.
Ligji parashikon se, në rrethana të caktuara, përgjegjësia për dëmet ndaj palëve të treta mund të lidhet si me mjetin tërheqës, ashtu edhe me rimorkion, kur ato funksionojnë si një tërësi ose kur aksidenti ndodh si pasojë e shkëputjes së saj.
Në raste të tilla, pala e dëmtuar mund të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi i mjetit tërheqës ose te siguruesi i rimorkios, ndërsa shoqëritë e sigurimit zgjidhin më pas marrëdhëniet e rimbursimit ndërmjet tyre, sipas përgjegjësisë që rezulton nga hetimet dhe dispozitat ligjore.
Për kamionët, përfshirë edhe rimorkiot, ligji parashikon një kufi minimal përgjegjësie prej 150 milionë lekësh për dëmet ndaj personave të shkaktuara nga një ngjarje sigurimi.




