Një makinë ka humbur kontrollin në Kukës dhe u përplas me dy mjete të parkuara dhe një mur rrethues. Dy fëmijët pasagjerë pësuan lëndime.
Së pari, Sigurime.Online uron në shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve nga kjo përplasje, që për fat, nuk rezultoi me dëme më të mëdha.
Së dyti, më poshtë do të interpretojmë mënyrën se si TPL aktivizohet.
Nga këndvështrimi i sigurimit të detyrueshëm TPL (Përgjegjësia ndaj Palëve të Treta), duhet të dallohen dy elemente kryesore: kush konsiderohet palë e dëmtuar dhe çfarë dëmesh mbulon kontrata.
Në ngjarjen e ndodhur në Kukës, drejtuesja e automjetit dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur me murin e një subjekti.
Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë dy fëmijët e saj, të cilët ndodheshin si pasagjerë në automjet.
Sipas kushteve të TPL-së, objekti i sigurimit është përgjegjësia civile e drejtuesit të mjetit për dëmet që ai u shkakton palëve të treta për shkak të përdorimit të automjetit.
Në këtë rast, nëse nga hetimi rezulton se drejtuesja ka qenë shkaktare e aksidentit, TPL mund të aktivizohet për dëmet ndaj personave të tjerë të dëmtuar që konsiderohen palë të treta, si dhe për dëmet materiale ndaj pronës së të tretëve (p.sh. muri i subjektit të dëmtuar).
Pika kryesore në këtë rast lidhet me statusin e dy fëmijëve: përjashtimi lidhet kryesisht me dëmin e drejtuesit, ndërsa pasagjerët konsiderohen persona të transportuar dhe mund të kenë të drejtë dëmshpërblimi nëse nuk hyjnë në ndonjë nga përjashtimet ligjore.
Sipas përjashtimeve të kontratës TPL, drejtuesi i mjetit shkaktar i aksidentit nuk përfiton nga sigurimi për dëmet që i shkaktohen vetë atij, dhe as trashëgimtarët apo të afërmit e tij për dëmet që lidhen me dëmtimin e drejtuesit.
Kjo do të thotë se drejtuesja nuk mund të kërkojë dëmshpërblim për dëmet e veta fizike. Për fëmijët, çështja kërkon interpretim sipas ligjit dhe rregullave të zbatueshme. Ata janë pasgjerë dhe si palë të treta përfitojnë dëmshpërblim nga sigurimi TPL.
Dëmtimi i lehtë i fëmijëve si pasagjerë mund të jetë objekt trajtimi për dëmshpërblim nga TPL, nëse plotësohen kushtet ligjore dhe provohet dëmi trupor. Do të vlerësoheshin raportet mjekësore, shpenzimet eventuale mjekësore, si dhe çdo dëm pasuror ose jopasuror i lidhur me dëmtimin.
Gjithashtu, nëse përplasja ka shkaktuar dëmtim të murit të subjektit privat, atëherë ky është një rast tipik ku TPL aktivizohet për dëmin ndaj pronës së palës së tretë. Pronari i subjektit mund të paraqesë kërkesë për dëmshpërblim pranë shoqërisë së sigurimit të automjetit shkaktar, duke provuar dëmin material dhe lidhjen e tij me aksidentin.
Nëse automjeti ka pasur KASKO: dëmi i vetë automjetit mund të trajtohej nga KASKO sipas kushteve të kontratës, pasi kemi një përplasje aksidentale edhe pa përfshirje të një mjeti tjetër. Në të kundërt, riparimin e dëmeve të automjetit, drejtuesja do të duhet ta kryejë me financat e saj.
Në këtë aksident TPL aktivizohet kryesisht për dëmin ndaj pronës së subjektit dhe potencialisht për dëmet trupore të pasagjerëve, ndërsa nuk shërben për të kompensuar drejtuesen për dëmet që ajo pëson vetë.




