Në rastin e automjetit të djegur në lagjen “Çlirimi” në Lushnjë, aktivizimi i sigurimit varet tërësisht nga shkaku i zjarrit që do të përcaktohet nga hetimet e policisë dhe ekspertëve zjarrfikës.
Në këtë fazë nuk mund të thuhet me siguri nëse pronari i mjetit përfiton dëmshpërblim, pasi mbulimi ndryshon sipas llojit të policës së sigurimit dhe rrethanave konkrete të ngjarjes.
Me sigurimi mund të thuhet vetëm se sigurimi i detyrueshëm TPL nuk aktivizohet në këtë rast.
Ky lloj sigurimi mbulon vetëm përgjegjësinë civile të pronarit ose drejtuesit të mjetit ndaj palëve të treta.
Meqenëse automjeti është dëmtuar vetë dhe nuk ka të dhëna që ka shkaktuar dëme ndaj personave apo pronave të të tretëve, pronari nuk mund të kërkojë dëmshpërblim nga polica TPL për humbjen e automjetit të tij.
Po KASKO?
Nëse automjeti ka qenë i siguruar me KASKO, situata është më e ndërlikuar. Kontrata e KASKO-s mbulon dëmet nga zjarri dhe eksplozioni vetëm në raste të caktuara.
Nëse hetimet provojnë se zjarri ka ardhur nga një faktor i jashtëm, si për shembull përhapja e flakëve nga jashtë ose një akt i qëllimshëm vandalizmi i identifikuar, pronari mund të ketë të drejtë për dëmshpërblim, sipas kushteve të policës.
Nga ana tjetër, nëse ekspertiza arrin në përfundimin se automjeti është përfshirë nga flakët për shkak të një defekti të brendshëm elektrik, mekanik ose teknik, dëmi zakonisht nuk mbulohet nga KASKO, pasi këto raste përjashtohen shprehimisht nga mbulimi për rrezikun e zjarrit.
Po kështu, nuk mbulohet edhe rasti kur zjarri është shkaktuar nga pirja e duhanit në automjet ose kur ngjarja nuk është njoftuar pranë policisë apo shërbimit zjarrfikës.
Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me zjarrvënien e qëllimshme. Nëse provohet se automjeti është djegur nga persona të tretë në kuadër të një akti keqdashës dhe ky rrezik është pjesë e mbulimit të policës KASKO, pronari mund të përfitojë dëmshpërblim, sipas kushteve të shprehura qartë nga kontrata: që i dëmtuari të mos ketë patur dijeni për aktin apo rrezikun që i kanosej.
Për këtë arsye, në ngjarje të tilla, rezultati i ekspertizës teknike është vendimtar. Vetëm pas përcaktimit të shkakut të zjarrit mund të vlerësohet nëse pronari i automjetit ka të drejtë të përfitojë dëmshpërblim nga polica KASKO, ndërsa nga sigurimi TPL nuk lind e drejtë për kompensim të dëmit të vetë automjetit.




