24.5 C
Tirana
Tuesday, April 28, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet"Përse kaq pak, unë kam KASKO", çfarë duhet ditur për konceptin e...

“Përse kaq pak, unë kam KASKO”, çfarë duhet ditur për konceptin e rivendosjes së shumës së siguruar

Qytetari A.B. më 1 mars 2025 aktivizoi sigurimin KASKO për automjetin e tij me vlerë 100 mijë euro.

Duke i mbuluar të gjitha risqet e mundshme të parashikuara në policë, atë që rëndom njihet si Full KASKO, pagoi 2,500 euro si çmim sigurimi.

Me 10 korrik 2025, në plazhin e Durrësit, qytetari A.B. u përfshi në një aksident të madh.

Vlera e dëmit në automjetin e tij u llogarit 20 mijë euro.

Sipas kushteve kontratuale, kompania siguruese ia mbuloi këtë vlerë dëmi.

Qytetari AB, pasi përfitoi dëmshpërblimin, u pyet nga agjenti i tij i sigurimeve nëse donte ta rivendoste shumën e siguruar?

Shkurtimisht ai i ishte përgjigjur: “Jo”. 

Siç Sigurime.Online mësoi më pas, qytetari AB nuk e kishte të qartë se çfarë do të thoshte “rivendosje e shumës së siguruar”

Rivendosja e shumës së siguruar 

Ky koncept është i shprehur në kontratën e sigurimit KASKO me një zë të mëvetshëm:

“RIVENDOSJA E SHUMËS SË SIGURUAR
Mbas pagesës së çdo dëmi shuma e siguruar do të rivendoset në vlerën e saj fillestare në rast se i siguruari paguan primin shtesë. Në rast se i siguruari nuk paguan primin shtesë, pra nuk e rivendos shumën e siguruar, atehere mjeti motorik qëndron i siguruar deri në fund të afatit të caktuar në policën e sigurimit KASKO për një “shumë të re sigurimi” e
barabartë kjo me diferencën e shumës të sigurimit fillestare dhe vlerës të dëmshpërblimit, pra për një dëm të dytë, i siguruari do të dëmshpërblehet sipas shumës së re të sigurimit, pra me nënsigurim.”

Rasti i qytetarit AB

Pasi ishte dëmshpërblyer me 90% të vlerës 20 mijë euro të dëmit, qytetari AB ishte përgjigjur negativisht për ta rivendosur shumën e siguruar.

Më 21 tetor 2025, ai përfshihet sërish në një aksident automobilistik.

Këtu “rivendosja e shumës së siguruar” mori kuptim praktik për të.

Sigurimi i tij KASKO vijonte aktiv, por përllogaritja bëhej automatikisht me nënsigurim.

Vlera e dëmit të aksidentit të dytë ishte shumë e madhe. Automjeti thuajse u bë i papërdorshëm, pasi nga përplasja mori flakë dhe u shkrumbua.

Për fatin e mirë qytetari A.B. u largua pa dëme të mëdha shëndetësore nga mjeti i tij.

Për të siguruarin, kjo vlerë ishte 100 mijë euro dhe nga siguruesi ai priste dëmshpërblimin në vlerën 90 mijë euro.

Për siguruesin, sipas kontratës, pasi qytetari AB nuk kishte shprehur pëlqimin për ta rivendosur shumën e siguruar, vlera maksimale e automjetit llogaritej 100 mijë euro si vlera fillestare, minus 20 mijë euro si vlerë e dëmit të parë, dhe si shumë për dëmshpërblim përllogaritja bëhej mbi 90%-in e vlerës 80 mijë euro, pra 72 mijë euro.

Qytetari, për këtë diferencë 18 mijë euro me pritshmërinë e tij u ankua.

“Përse kaq pak? Unë kam full KASKO” 

“Sepse ju nuk rivendosët shumën e siguruar, pasi u dëmshpërblyet pas dëmit të parë”, iu sqarua nga kompania siguruese.

“Si do të duhej bërë kjo?!”, pati pyetur ai.

“Kur u dëmshpërblyet për dëmin 20 mijë euro, nga shuma maksimale e mbulimit, 100 mijë euro (1/5), ju do të duhej të kishit ripaguar 1/5-n e primit fillestar të sigurimit, pra sërish 500 nga 2500 euro e primit, që mbulimi të qëndronte maksimal, deri në 100 mijë euro”, ishte interpretimi i bazuar në kontratën e sigurimit KASKO dhe mbi konceptin e rivendosjes së shumës së siguruar nga ana e siguruesit.

Kështu që, sigurime.online, apelon:

Rivendosni shumën e sigurimit nëse kontrata e sigurimit KASKO është ende e vlefshme, edhe nëse jeni përfitues i një dëmshpërblimi dhe shmangni keqkuptimin me kompanitë siguruese se “po ju paguajnë më pak nga sa ju takon”. 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat