Shoqata e Siguruesve ka publikuar në faqen e saj zyrtare një apel për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e sigurimit shëndetësor si një mbrojtje e domosdoshme përballë rreziqeve të papritura.
Në mesazhin e saj, Shoqata ngre pyetjen: sa kushton në të vërtetë të mos kesh sigurim shëndeti?
Sipas Shoqatës, në momentin kur shëndeti vihet në provë, kostot mjekësore mund të bëhen të papritura dhe shpesh të larta. Nga vizitat dhe analizat rutinë, deri te shtrimet në spital, ndërhyrjet kirurgjikale apo trajtimet specialistike, barra financiare mund të jetë e konsiderueshme për individin dhe familjen.
Në këtë kuadër, theksohet se në Shqipëri paketat e sigurimit shëndetësor privat janë ndërtuar për të adresuar këto situata, duke ofruar mbulim të plotë ose të pjesshëm të shpenzimeve, në varësi të planit të zgjedhur. Këto paketa përfshijnë zakonisht konsulta me mjekun e përgjithshëm dhe specialistë, analiza laboratorike dhe diagnostikime të avancuara si skaner, MRI dhe CT, si dhe shtrime në spital dhe ndërhyrje kirurgjikale.
Gjithashtu, ato mbulojnë trajtime urgjente dhe kujdes mjekësor pas aksidenteve, përfshijnë check-up vjetor dhe shërbime parandaluese, ndërsa në paketat më të avancuara mundësohet edhe mbulim për trajtime jashtë vendit dhe për shtatzëni.
Shoqata e Siguruesve nënvizon se paketat variojnë nga ato bazike me kufij më të ulët financiarë, deri te paketat premium që ofrojnë mbulim më të gjerë dhe akses në klinika private brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Në mesazhin e saj, Shoqata thekson se rëndësia e sigurimit shëndetësor nuk lidhet vetëm me mbulimin e kostove, por edhe me sigurinë financiare dhe qetësinë mendore që ai ofron. Ai u mundëson qytetarëve të marrin shërbimin e duhur mjekësor në kohën e duhur, pa u detyruar të marrin vendime të vështira të diktuara nga kostot.
Në përfundim, Shoqata e konsideron sigurimin shëndetësor si një investim në stabilitetin personal dhe familjar, duke i mbrojtur individët nga shpenzimet e papritura që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin e tyre. Ajo u bën thirrje qytetarëve të informohen mbi paketat që ofrojnë kompanitë e sigurimit në vend, si hapi i parë drejt një zgjedhjeje të mirëmenduar dhe të përgjegjshme.




