Një aksident me pasoja fatale është regjistruar në qendër të Tiranës, pranë ish Ekspozitës dhe afër Gjykatës së Tiranës, ku një autobot i UKT-së ka përplasur një grua që lëvizte me motoçikletë.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesja e motoçikletës ka ndërruar jetë në vendngjarje. Rrethanat e aksidentit nuk janë ende të qarta dhe pritet zbardhja e plotë nga autoritetet përkatëse.
Nga perspektiva e sigurimeve, kjo ngjarje ngre disa çështje të rëndësishme që lidhen me mbulimin e riskut dhe përgjegjësinë:
Së pari, automjeti i përfshirë, duke qenë mjet i një ndërmarrjeje publike, duhet të jetë i pajisur me sigurim të detyrueshëm të përgjegjësisë civile (TPL), i cili mbulon dëmet ndaj palëve të treta, përfshirë humbjen e jetës. Në këtë rast, familjarët e viktimës kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim sipas legjislacionit në fuqi.
Së dyti, do të jetë vendimtare përcaktimi i fajësisë nga organet hetimore dhe ekspertiza rrugore. Përcaktimi i përgjegjësisë ndikon drejtpërdrejt në mënyrën dhe masën e kompensimit nga kompania e sigurimit. Edhe sikur mjeti shkaktar të mos jetë i siguruar, familjarët e viktimës mund t’i drejtohen Byrosë me kërkesën dëmshpërblyese. Duhet që hetimi të nxjerrë se motorçikleta e drejtuar nga zonja e ndjerë, të mos ketë qenë shkaktarja e aksidentit. Nëse ekspertiza mbështet këtë version, familjes së të ndjerës i lind e drejta të kërkojë dëmshpërblim nga siguracioni i mjetit shkaktar, në këtë rast, i supozuar: mjeti autobot i UKT.
Së treti, në raste të tilla, rëndësi ka edhe ekzistenca e sigurimeve shtesë, si sigurimi kasko për mjetin apo sigurimi i jetës/aksidenteve personale për drejtuesen e motoçikletës, të cilat mund të ofrojnë mbulim financiar shtesë për familjen.
Gjithashtu, ngjarja rikthen në vëmendje rëndësinë e menaxhimit të riskut nga institucionet publike dhe kompanitë, përfshirë trajnimin e drejtuesve të mjeteve, respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit dhe mirëmbajtjen teknike të automjeteve.
Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit por APELI I SIGURIME.ONLINE është për kujdes të shtuar në qarkullim, më shumë vëmendje dhe zbatim të rregullave të qarkullimit rrugor.




