Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të sigurimeve, vetëm 1.01% penetrim.
Nga ky total, 0.09% janë sigurime jete dhe 0.94% sigurime jojetës. Ky është një ndryshim i theksuar nga vendet e Perëndimit, ku sigurimet e jetës mbizotërojnë ndjeshëm mbi ato jojetës.
Shqiptarët shpenzojnë mesatarisht rreth 120 euro për frymë për sigurime, nga të cilat 91% shkojnë për sigurime jojetës.
Për vitin 2025, kompanitë e sigurimeve shkruan 282.38 milion euro prime, ndërsa pagesat e dëmeve arritën 85.76 milion euro, një rritje 2.26-fish krahasuar me vitin 2015, edhe pse penetrimi ka mbetur thuajse i pandryshuar, 0.97% në 2015 dhe 1.01% në 2025.
Ky nivel i ulët lidhet me trashëgiminë historike të Shqipërisë.
Si vend ish-komunist, qytetarët u edukuan të mbështeten tek shteti për çdo gjë, nga ushqimi e veshmbathja, te strehimi dhe shëndeti. Edhe sot, shumë njerëz kërkojnë ndihmë nga shteti për çdo problem, duke e lënë edukatën financiare dhe njohjen e sigurimeve në hije.
Sigurimet lindën në vendet e zhvilluara, si Londra, dhe kanë si qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga rreziqe të papritura.
Në Shqipëri, kjo kuptohet ende pak. Për shembull, vetëm rreth 70% e makinave kanë sigurimin e detyrueshëm TPL, ndërsa pjesa tjetër qarkullon pa mbulim, gjë që në Evropë konsiderohet e papranueshme.
Mirëpo nga cilido këndvështrim, ka një pikëpamje financiare që Perëndimi nuk e konsideron dot idenë e lëvizjes pa siguracion: minimalisht një gjobë qarkullimi pa TPL do të kushtonte 3-fishin e TPL-së dhe shtrëngimin për ta blerë siguracionin, ndërsa një dëm pa TPL, gjobën dhe minimalisht 10-fishin si vlerë dëmi, material apo jomaterial, që mund të shkojë edhe në 1 mijë fish të vlerës së TPL-së së pablerë.
Sigurimi KASKO, që mbulon dëmet e makinës pavarësisht fajit, ka vetëm 3% mbulim, ndërsa 97% e makinave mbeten pa mbrojtje.
Këto shifra tregojnë një realitet: shqiptarët shpesh nuk kujdesen për mbrojtjen e pasurive dhe shëndetit të tyre.
Megjithatë, potenciali për rritje është i madh.
Me edukatë qytetare, informim të duhur dhe angazhim të kompanive të sigurimeve, kjo industri mund të zhvillohet dhe të bëhet pjesë e kulturës së përditshme, si në vendet e tjera të Evropës.
Sigurimet nuk janë thjesht produkte, por një siguri për jetën, shëndetin dhe pasuritë dhe Shqipëria ka shumë për të përfituar nga ky mekanizëm.




