Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), përmes një publikimi në kanalet e saj të komunikimit në rrjete sociale, ka rihapur thirrjen për shprehje interesi për anëtarësim në Tryezën e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE), Kapitulli 9 “Shërbimet Financiare”.
Kjo tryezë bashkon institucionet publike, shoqërinë civile, biznesin dhe akademinë për të diskutuar përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së në fushën e shërbimeve financiare.
Afati i aplikimit, sipas njoftimit zyrtar nga AMF, do të jetë deri më 16 mars 2026.
AMF ftoi të gjithë pjesëmarrësit të aplikojnë përmes formularit në faqen zyrtare të AMF: https://amf.gov.al/anetaresia_tryezave_ppie.asp
Institucioni e konsideron këtë mundësi një hapësirë konkrete ku ekspertiza e profesionistëve mund të bëjë ndryshimin në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.




