Me hyrjen e sistemit të ri Bonus-Malus, pranimi i fajësisë pa qenë realisht fajtor në një aksident është një gabim i kushtueshëm.
Më parë, përvoja na ka treguar se shpesh drejtuesit me sigurim KASKO merrnin përsipër fajin “për të kënaqur palët”, edhe nëse nuk e kishin shkaktuar aksidentin, duke lehtësuar përplasjen mes makinave, por duke shtrembëruar faktet në vendngjarje.
Shpesh me këtë marrëveshje binin dakord, ose edhe nxisnin, vetë punonjësit e policisë.
Kjo praktikë penalizonte qytetarët e drejtë dhe të dobët, si dhe njolloste figurën e policit që duhej të përcaktonte shkaktarët.
Tashmë, kjo “zgjidhje popullore” nuk ka më vend. Sistemi Bonus-Malus regjistron çdo faj të pranuar në historikun e dëmeve dhe në vitin pasues drejtuesi që pranon faj pa e pasur do të paguajë prime sigurimi më të larta.
Pra, edhe nëse keni KASKO, mos pranoni fajin në procesverbal nëse nuk jeni realisht fajtor, sepse kjo do të ndikojë në financat tuaja, do të rrisë kostot e sigurimit dhe mund të krijojë pasoja ligjore.
Faji real përcaktohet nga policia dhe ligji, jo nga mirëkuptimi i përkohshëm. Me Bonus-Malus, çdo gabim në këtë drejtim ka kosto reale dhe mbetet një herë e përgjithmonë në kartelën e historikut të dëmeve.




