Drejtoresha Ekzekutive e AMF-së, znj. Adela Xhemali, takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, për forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e stabilitetit financiar në përputhje me standardet e BE-së
Drejtoresha Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), znj. Adela Xhemali, zhvilloi një takim zyrtar me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e uroi znj. Xhemali për detyrën e re në krye të një institucioni me rol kyç për zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm të sistemit financiar.
Gjatë takimit, znj. Xhemali theksoi se bashkëpunimi i strukturuar dhe i qëndrueshëm ndërinstitucional përbën një element kyç për garantimin e stabilitetit financiar, veçanërisht në kushtet e rritjes së ndërveprimit ndërmjet sektorit bankar dhe atij jobankar. Gjithashtu u theksua rëndësia e ndërtimit të një kuadri të qartë bashkëpunimi për mbikëqyrjen e grupeve financiare dhe konglomerateve financiare, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, përmes koordinimit ndërinstitucional.
Në këtë kuadër, u vu theksi mbi nevojën për një qasje të koordinuar mbikëqyrëse dhe për shkëmbim efektiv informacioni, si instrumente thelbësore për identifikimin dhe adresimin në kohë të rreziqeve potenciale si edhe forcimit të mekanizmave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, në funksion të një kuadri mbikëqyrës më eficient dhe në përputhje me standardet evropiane.
Znj. Xhemali theksoi gjithashtu se procesi i integrimit evropian kërkon një angazhim të vazhdueshëm dhe të koordinuar ndërmjet dy rregullatorëve, veçanërisht në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga negociatat për kapitujt përkatës të acquis communautaire, ku AMF dhe Banka e Shqipërisë luajnë role kyçe.
Takimi konfirmoi angazhimin e AMF-së për thellimin e bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë, me qëllim forcimin e stabilitetit financiar, rritjen e eficiencës mbikëqyrëse dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.




