Mbikëqyrja dhe zhvillimi i tregut të sigurimeve dhe veçanërisht përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian, ishin qendra e bisedës mes Drejtoreshës Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Znj. Adela Xhemali, me drejtuesit e shoqërive të sigurimit që operojnë në Shqipëri.
Takimi u zhvillua në një moment të rëndësishëm për institucionin, të shënuar nga nisja e një kapitulli të ri drejtimi dhe sfidat e integrimit evropian.
Drejtoresha e AMF-së theksoi angazhimin për të garantuar rregulla të qarta, të parashikueshme dhe të drejta, duke krijuar njëkohësisht kushtet për rritjen e tregut mbi baza transparente dhe profesionale.
Gjatë bisedës u nënvizua se procesi i integrimit evropian nuk përbën vetëm një detyrim rregullator, por një mundësi reale për rritjen e qëndrueshmërisë dhe forcimin e besimit në tregun e sigurimeve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të përafrimit me aquis të BE përfshirë zbatimin e kuadrit Solvency II dhe IFRS 17.
Këto reforma synojnë rritjen e besimit të publikut në treg përmes përmirësimit të shërbimit ndaj konsumatorit dhe forcimin e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive të sigurimit, përmirësimin e menaxhimit të riskut.
Drejtuesit e shoqërive të sigurimit, duke vlerësuar këtë takim, theksuan rëndësinë e forcimit të rolit të AMF-së dhe të intensifikimit të bashkëpunimit mes tregut dhe rregullatorit, si në kuadër të nismave ligjore që priten në procesin e integrimit europian, ashtu edhe për zgjerimin e tregut përmes rritjes së mbulimit me produkte vullnetare të sigurimeve të jo-jetës dhe të jetës.
Në këtë kontekst, shoqëritë shprehën gatishmërinë dhe kapacitetet e tyre për të ofruar një gamë të plotë produktesh vullnetare, në shërbim të interesit publik, pasi sigurimi është një investim për qytetarët dhe bizneset.
Znj.Xhemali theksoi në mbyllje të takimit, se objektivi nuk është vetëm një treg që respekton rregullat, por një treg që zhvillohet i rregulluar me standarde evropiane.




