9.5 C
Tirana
Tuesday, January 27, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeCEO i SIGAL për Revistën Monitor mbi skemën kombëtare dhe mbrojtjen nga...

CEO i SIGAL për Revistën Monitor mbi skemën kombëtare dhe mbrojtjen nga katastrofat natyrore

Intervistë / Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Insurance Group

Kjo intervistë është pronësi intelektuale e Revistës Monitor. Në kushtet e ekspozimit të lartë ndaj fatkeqësive natyrore, Shqipëria përballet me nevojën urgjente për të përmirësuar menaxhimin e rrezikut dhe për të masivizuar sigurimin përmes një skeme kombëtare gjithëpërfshirëse.

Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Insurance Group, vlerëson se përballja me këto rreziqe kërkon një qasje të integruar, që përfshin parandalimin, planifikimin urban, investimet në infrastrukturë dhe përgjegjshmërinë institucionale.

Megjithatë, sipas tij, elementi kyç mbetet sigurimi masiv nga rreziqet katastrofike, përmes skemave të posaçme që mundësojnë pjesëmarrjen kolektive dhe shpërndarjen e barrës financiare. Ai thekson se, ndonëse tregu i sigurimeve ka ndërtuar tashmë kapacitete për të mbuluar rreth 250 milionë euro dëme nga këto ngjarje, ky nivel duhet të rritet në rreth 1.2 miliardë euro, përmes mekanizmave ku të gjithë kontribuojnë me një prim të vogël, por me efekt të madh mbrojtës për ekonominë.

Si e vlerësoni shkallën e mbulimit të ekonomisë shqiptare me sigurime nga fatkeqësitë natyrore?

Mbulimi i ekonomisë shqiptare me sigurime nga fatkeqësitë natyrore mbetet relativisht i ulët krahasuar me nevojat reale dhe ekspozimin e vendit ndaj riskut (përmbytje, rrëshqitje dheu, tërmete).

Interesi është rritur vitet e fundit, por ende një pjesë e madhe e bizneseve dhe familjeve nuk e kanë të integruar sigurimin si instrument bazë menaxhimi risku, shpesh për arsye kostoje mentaliteti, mungese informacioni apo pritshmërie që dëmet do të mbulohen nga shteti.

Kjo krijon problematika te mëdha midis të siguruarve dhe të pasiguruarve. Në përgjithësi, kjo është zgjidhur me sigurime kombëtare apo sigurime katastrofash, që marrin vlera të ndryshme në vende të ndryshme.

Ndërtimi i skemave të tilla është i domosdoshëm dhe funksional. Tregu i sigurimeve me eksperiencat që ka mund të japë zgjidhje të cilat janë shumë të rëndësishëm për interesat e qytetarëve.

Çfarë efektesh patën përmbytjet e këtij muaji për kompanitë e sigurimeve dhe a jeni përballur me dëme nga situata e krijuar?

Përmbytjet e këtij muaji sollën një rritje të menjëhershme të njoftimeve për dëme, madje u paraqiten shumë klientë për kërkesa për dëme, edhe prej atyre që nuk janë të siguruar për përmbytjen, kryesisht në pronë, inventar, pajisje, ambiente prodhimi/tregtie, si dhe në disa raste edhe në automjete.

Përmbytja është një mbulim shtesë, mbi mbulimin nga zjarri, ashtu sikur edhe tërmeti.

Për sa i përket kompanisë sonë, kemi pasur njoftime dhe/ose dosje dëmesh të lidhura me situatën, dhe jemi në proces verifikimi/vlerësimi sipas kushteve të policave, duke synuar trajtim sa më të shpejtë dhe transparent për klientët.

Dëmet janë kryesisht në zonën e Durrësit po edhe në zona të tjera. Ajo që duhet thënë është që klientët mendojnë për sigurimin nga përmbytja kur janë realisht të përmbytur ose kur janë të dëmtuar nga tërmeti apo zjarri.

Sigurimet operojnë atëherë kur kemi kontrata funksionale dhe ajo është më e rëndësishmja. Nuk mund të ketë sigurime pas ndodhjes se ngjarjeve dhe pa paguar primin e sigurimit.

A keni pasur raste të subjekteve të interesuara për t’u siguruar nga fatkeqësitë, por që nuk keni mundur t’i siguroni, për shkak të riskut të lartë? Cila është tipologjia e rasteve dhe zonave?

Po, në praktikë ndodh që jo çdo risk është i sigurueshëm me kushte standarde, sidomos kur probabiliteti i dëmit është shumë i lartë ose kur mungojnë masat minimale të mbrojtjes. Ka raste tipike ku kërkohet rishikim i thelluar, kufizim mbulimi ose mospranim.

Kjo mund të ndodhë kur objektet nuk kanë marrë masa parandaluese nga zjarri, kanë mangësi instalimi dhe nuk kanë mjetet e domosdoshme të mbrojtjes nga zjarri.

Ka objekte në zona të përsëritura përmbytjeje afër shtratit të lumit, kanalizime jofunksionale, zona të ulëta ku uji grumbullohet rregullisht. Ka magazina/ambiente me inventar me vlerë të lartë në kate përdhese, pa masa mbrojtëse pragje, barriera, pompim, elevim i pajisjeve.

Ka biznese pa dokumentacion teknik (gjendje civile/planimetri, standarde ndërtimi, sistem drenazhimi), ose me ndërtime informale/pa certifikime.

Ka zona me rrëshqitje dheu, ku ka histori dëmesh ose ku terreni është i paqëndrueshëm dhe nuk ka ndërhyrje stabilizuese. Ka objekte me amortizim të lartë dhe mirëmbajtje të dobët, ku rreziku rritet ndjeshëm. Ka objekte që nuk kanë kushte normale funksionale

Në shumë raste, zgjidhja nuk është “jo”, por kushte shtesë, prime më të larta, franshizë më e madhe, limite mbulimi, ose kërkesë për masa parandaluese përpara pranimit.

Nuk kemi kurrë refuzime, por kemi prime më të larta dhe plotësim kushtesh funksionale për objektin.

Besoni se ekzistojnë hapësira për menaxhimin më të mirë të riskut nga fatkeqësitë natyrore nga strukturat shtetërore?

Po, ka hapësira të dukshme për përmirësim. Menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë natyrore kërkon qasje të integruar: parandalim, planifikim urban, infrastrukturë dhe përgjegjshmëri institucionale. Disa elementë ku mund të bëhet më mirë:

Hartëzim dhe publikim i përditësuar i zonave të riskut (përmbytje/rrëshqitje) dhe përdorimi i tyre në lejet e ndërtimit.

Mirëmbajtje sistematike e kanaleve kulluese, argjinaturave dhe baseneve – shpesh dëmet përkeqësohen nga mungesa e mirëmbajtjes.

Standardizim i kodeve të ndërtimit dhe kontroll real i zbatimit, sidomos në zona me risk.

Sisteme paralajmërimi të hershëm dhe protokolle të qarta reagimi në nivel vendor.

Nxitje e sigurimit përmes politikave publike (p.sh. edukim, lehtësime, skema bashkëndarjeje risku).

Por, thelbi mbetet sigurimi masiv, sigurimi nga rreziqet katastrofike të cilat janë skema funksionale dhe përvoja nga këto skema tregojnë sa të domosdoshme janë dhe sa më vlera janë për një vend si Shqipëria, me një territor me rrezikshmëri të lartë përmbytjesh, tërmetesh dhe rreziqe të tjera katastrofike.

 

Nga këndvështrimi juaj, si mund të përmirësohet mbulimi i vendit me sigurime nga fatkeqësitë natyrore?

Përmirësimi kërkon bashkëpunim mes sektorit privat, shtetit dhe qytetarëve/bizneseve.

Kërkon ndërgjegjësim dhe edukim financiar: njerëzit shpesh e kuptojnë vlerën e sigurimit vetëm pas një dëmi.

Ndërtimi i skemave kolektive dhe ndërtimi i ligjeve që bëjnë të mundur pjesëmarrjen e të gjithëve në mbulimin e këtyre dëmeve.

Përvoja e tregut të sigurimeve është e madhe, kërkohet vetëm bashkërendim.

Sot tregu ka të mbuluar mbi 250 milionë euro për këto lloj katastrofash. Çfarë duhet? Duhet rritur ky mbulim, duke shkuar në 1.2 miliardë euro.

Këtu fillon edhe puna për ndërtimin e skemave,  për të realizuar këtë mbulim.

Me pjesëmarrje kolektive të gjithë paguajnë një prim të vogël, ose shteti blen bonde katastrofash, por natyrisht që kjo është kosto e lartë për shtetin.

Produkte më fleksibël janë paketa modulare, prime të shkallëzuara, mbulim i kombinuar (p.sh. zjarr + përmbytje + rrëshqitje) për të ulur koston relative.

Ekzistojnë skema publike-private (PPP) ose fonde katastrofash: për ngjarje të mëdha, kërkohet kapacitet kombëtar dhe risigurim efektiv.

Duhet lidhje e sigurimit me financimin, me nxitje që kreditë/hipotekat të shoqërohen me mbulim adekuat nga katastrofat, jo vetëm mbulim minimal.

Duhet përmirësim i të dhënave dhe modelimit të riskut: sa më mirë të kuptohet ekspozimi, aq më të drejta dhe të përballueshme bëhen çmimet.

Nevojiten masa parandaluese në pronë: kur bizneset investojnë në drenazh, barriera, elevim pajisjesh, etj., sigurimi bëhet më i mundur dhe më i lirë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat