Sipas Monitor, pavarësisht ekspozimit të vazhdueshëm ndaj fatkeqësive natyrore, ekonomia shqiptare mbetet thuajse e pambrojtur përballë këtyre rreziqeve, për shkak të nivelit shumë të ulët të sigurimeve dhe mungesës së një kulture të mirëfilltë të menaxhimit të riskut.
Zjarret, përmbytjet dhe tërmetet janë kthyer në një cikël të përsëritur, por ndikimi i tyre financiar vazhdon të rëndojë kryesisht mbi qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Siç theksohet në analizë, primi vjetor i sigurimit nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri përkthehet në rreth 10 euro për frymë, një nivel që konsiderohet simbolik përballë dëmeve reale.
Monitor kujton se tërmeti i vitit 2019, me dëme mbi 1 miliard euro, u mbulua nga tregu i sigurimeve vetëm në masën rreth 40 milionë euro, pikërisht për shkak të shkallës shumë të ulët të sigurimit të pronave.
Edhe pse humbjet njerëzore dhe materiale ishin të mëdha, ngjarja nuk solli një rritje domethënëse të ndërgjegjësimit.
FMN vlerëson se Shqipëria përballet mesatarisht me 0.8 katastrofa natyrore në vit, ndërsa kostoja e tyre arrin deri në 1.3% të PBB-së për çdo ngjarje.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës mbetet i kufizuar.
Për vitin 2024, primet e shkruara bruto ishin rreth 23 milionë euro, çka përkthehet në një mbulim shumë të ulët në raport me ekonominë dhe numrin e banesave.
Sipas Monitor, vetëm rreth 5% e banesave në Shqipëri rezultojnë të siguruara, ndërsa mbi 90% e primeve janë të përqendruara në qarkun e Tiranës, duke lënë pjesën tjetër të vendit pothuajse të pambrojtur.
Artikulli i plotë analitik gjendet në linkun më poshtë:
Pak sigurime dhe menaxhim rreziku, ekonomia “e zhveshur” përballë fatkeqësive




