Përmbytjet dhe ngricat e muajve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësinë shqiptare, duke shkatërruar kultura, serra, pemë frutore dhe kafshë të ndryshme.
Sektori bujqësor, që kontribuon rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe mbështet punësimin në zonat rurale, mbetet i ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve, ndërsa buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2026 është vetëm 16 miliardë lekë, i pamjaftueshëm për të përballuar dëmet dhe as për funksionimin rutinë.
Autoritetet thonë se do të verifikojnë dëmet në terren, në bashkëpunim me pushtetin lokal, kryetarët e bashkive dhe deputetët, për të garantuar që të gjithë të prekurit të përfshihen në procesin e kompensimit.
Megjithatë, jo të paktë janë fermerët që shprehen skeptikë për efikasitetin e masave, duke kujtuar përmbytjet e mëparshme pa ndërhyrje të menjëhershme.
Ekspertët paralajmërojnë se ngjarje si përmbytjet masive, djegiet apo tërmetet konsiderohen katastrofike në terminologjinë e sigurimeve dhe risigurimeve.
Ngjarjet katastrofike kërkojnë ligje të sakta dhe mekanizma të qartë të kompensimit, ku industria e sigurimeve duhet të marrë përgjegjësinë për vlerësimin dhe pagimin e dëmeve.
Në nivel global, kjo praktikë është standard: sigurimet kolektive për ngjarje katastrofike kanë prime më të ulëta krahasuar me ato individuale, duke mbrojtur qytetarët dhe ekonominë kombëtare.
Shqipëria është e ekspozuar ndaj rrezikut të tërmeteve, përmbytjeve dhe rreshqitjeve masive, duke u vendosur në hartën botërore të risigurimeve me ngjyrë të kuqe.
Megjithatë, sot vetëm 10% e pasurive dhe banesave janë të sigurura, duke lënë pjesën më të madhe të qytetarëve jashtë skemave të mbrojtjes.
Qytetarët shqiptarë duhet të dinë se krahas sigurimeve nga zjarri dhe tërmeti, edhe përmbytja është një lloj sigurimi i veçantë, por shumë i nevojshëm.
Ata duhet të dinë se mund dhe duhet të drejtohen tek kompanitë e sigurimit dhe do të marrin mbrojtjen që u duhet.
Pagesat e dëmeve nga përmbytjet fillojnë menjëherë për klientët e siguruar, me vlerësim të dëmeve nga ekspertët.
Siguracioni për bujqësinë dhe blegtorinë janë dy siguracione të mëvetshme për sektorin, që si rrezik shtesë, e përfshijnë edhe përmbytjen.
Sigurimi mbulon ndërtesat, makineritë bujqësore, investimet në bujqësi, prodhimin bujqësor, serat, linjat dhe teknologjitë e prodhimit blegtoral, kafshët bujqësore dhe shpendët, si dhe bazën ushqimore.
Ky sigurim mbron fermerët dhe blegtorët nga rreziqe natyrore, zjarri, vjedhja, sëmundjet dhe dëmtimet aksidentale, duke shmangur falimentimin e tyre për shkak të ngjarjeve të paparashikuara.
Rreziqet e mbuluara, si rreziqe shtesë, përfshijnë edhe stuhitë, shtrengatat, breshërit dhe përmbytjet, të cilat mund të shkaktojnë dëmtime mekanike të kulturave bujqësore, pemëve frutore, vreshtave dhe bimëve të tjera.
Sigurimi mbulon prodhimin bujqësor vetëm për një cikël prodhimi dhe fillon nga momenti i mbjelljes ose rritjes së kulturave, sipas natyrës së tyre.
Në këtë sektor kaq jetik për frymëmarrjen ekonomike të vendit, sigurime si këto vetëm sa shtojnë vlerë dhe mbështetje.




