Gazetari Shpëtim Luku ngre një alarm për nevojën e investimeve në pensionet private, duke reflektuar mbi përvojën e tij personale dhe realitetin e tregut të medias shqiptare.
Në një shkrim të fundit në rrjetet e tij sociale, Luku kujton periudhën 1997–2008, kur punonte në media të pavarura dhe u përball me fenomenin e punës së zezë, një problem që sipas tij “kishte arritur kulmin e tij dhe ishte një nga format më kriminale të rritjes së fitimit.”
Ai thekson se mospagimi i sigurimeve shoqërore për gazetarët ishte një “bombë sociale” që sot ka shpërthyer në formën e pensioneve të ulëta.
“Edhe vetë njoh disa ‘gropa’ në marrëdhënien me sigurimet, ndaj e di që kur të vijë koha, do të kem probleme,” shkruan gazetari, duke përshkruar pasojat personale të mungesës së mbulimit të duhur shoqëror.
Për të parandaluar këto probleme, Luku ka ndërmarrë një hap konkret: ka hapur një llogari në një fondin e pensionit privat Sigal Invest, me qëllimin për të kursyer 200 mijë lekë në vit. Ai nënvizon se ky hap, edhe pse i vonuar, duhet të shërbejë si shembull për gazetarët e rinj:
“Është koha të mendojmë për pensionin. Ndarja e një shume mujore për një pension privat nuk është luks. Është akt mbijetese.”
Gazetari përshkruan pensionin privat si një formë disiplinimi financiar që mbron nga pasiguria e pleqërisë në një shoqëri ku “shpenzimet e kota janë relativizuar, por varfëria në pleqëri është normalizuar.”
Ai citon një kryetar të Shoqatës së Veteranëve, i cili në një auditori të rinjsh u shpreh: “Sikur të isha edhe një herë i ri, do të mendoja më shumë për pleqërinë.”
Mesazhi i Lukut është i qartë: çdo moshë ka sfidat dhe kostot e veta, dhe për të jetuar me dinjitet nuk mund të prishet perspektiva financiare për të ardhmen.
Investimi i një shume të caktuar mujore në pension privat është një hap i domosdoshëm për të siguruar një jetë të qetë dhe të dinjitetshme kur të vijë pleqëria. Sidomos për punonjësit e vjetër të mediave, që kanë punuar në një realitet të errët përsa u përket kontributeve në sigurime, investimi në pensionet private është zgjidhja.
Shkrimi i plotë i z. Luku gjendet në rrjetin e tij social:
https://www.facebook.com/photo/?fbid=10236749514632030&set=a.4227067009238





