Sistemi Bonus-Malus është një mekanizëm i përdorur nga tregu i sigurimeve me qëllim edukimin e drejtuesve të mjeteve për një drejtim të përgjegjshëm, që synon të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e aksidenteve dhe dëmeve automobilistike, për rrjedhojë edhe në uljen e numrit të të plagosurve dhe të vdekurve në rrugë.
Ky nuk është një model shqiptar, por një praktikë gjerësisht e përdorur në vendet fqinje dhe në Bashkimin Evropian.
Ky sistem ka një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin/primin e sigurimit TPL (Sigurimi i Detyrueshëm i Personave të Tjerë), duke shpërblyer drejtuesit që nuk shkaktojnë aksidente dhe duke penalizuar ata që shkaktojnë dëme.
Qëllimi i sistemit Bonus-Malus
Qëllimi kryesor i sistemit Bonus-Malus është edukimi i drejtuesve për një sjellje të kujdesshme në rrugë, duke u përqendruar në respektimin e rregullave të qarkullimit dhe shpejtësisë. Të dhënat e fundit tregojnë se aksidentet rrugore kanë shkaktuar mijëra të plagosur dhe qindra viktima gjatë vitit të fundit dhe pesë viteve të fundit, duke e bërë të domosdoshëm një sistem motivues për drejtuesit e rregullt të mjeteve dhe njëherësh penalizues për shkaktarët e dëmeve.
Si funksionon shpërblimi dhe penalizimi
Përfitues të bonusit do të jenë rreth 96% e drejtuesve të mjeteve që nuk kanë shkaktuar aksidente nga 1 janari 2025 deri në rinovimin e policës gjatë vitit 2026, të cilët përfitojnë ulje të çmimit të TPL-së.
Nëse një drejtues mjeti nuk shkakton aksident gjatë një viti, ai do të shpërblehet me bonus në vitin e ardhshëm.
Të penalizuar do të jenë shkaktarët e aksidenteve, rreth 4% e drejtuesve që shkaktuan aksidente: drejtuesit që shkaktojnë një aksident paguajnë 19% më shumë në momentin e rinovimit të policës, ndërsa ata që shkaktojnë dy ose më shumë aksidente përballen me një rritje prej 36% në primin e sigurimit.
Pavarësisht mjetit me të cilin ju do të shkaktoni aksident (jo domosdoshmërisht me mjetin tuaj), primi i sigurimit TPL për mjetin në pronësinë tuaj do të rritet në momentin që do të rinovoni policën TPL të këtij mjeti. Prandaj duhet bërë kujdes në respektimin e rregullave të qarkullimit dhe moderimin e shpejtësisë.
Në çastin e rinovimit të policës, automatikisht aktivizohet “Historiku i dëmeve”, i cili sjell rritjen e tarifave për shkaktarët e dëmeve. Ky historik merr në konsideratë të gjitha dëmet e raportuara, edhe kur shkaktari i aksidentit nuk është shënuar në policën e sigurimit të mjetit tuaj.
Prandaj duhet bërë kujdes se kujt do t’ia jepni mjetin tuaj, pasi një aksident i shkaktuar me mjetin tuaj, qoftë edhe nga një drejtues tjetër, do t’ju rrisë primin automatikisht.
Si ndahet historiku i dëmeve
Historiku i dëmeve ndahet në tre klasa:
-
Klasa I: Drejtuesit pa asnjë dëm të raportuar, përfitojnë ulje të primit.
-
Klasa II: Drejtuesit me një dëm të raportuar, aplikohet rritje në primin e sigurimit, 19% më shumë.
-
Klasa III: Drejtuesit me dy ose më shumë dëme në tre vitet e fundit, aplikohet rritje më e lartë e primit, 36% më shumë.
Nuk duhet harruar se në përllogaritjen e çmimit të TPL-së, përveç historikut të dëmeve dhe sistemit Bonus-Malus, merren parasysh edhe faktorë të tjerë: fuqia motorike, mosha dhe eksperienca e drejtuesit, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit dhe vjetërsia e mjetit.
Shoqëritë e sigurimit publikojnë koeficientët e secilit prej këtyre faktorëve të riskut dhe përllogaritës online për transparencë dhe lehtësi në llogaritjen e primit.
Si të kontrolloni historikun e dëmeve
Historikun e dëmeve, për të parë se në cilën klasë renditeni, mund ta kontrolloni tek kompania e sigurimeve, në klasën e Historikut të Dëmeve.
Bonus-Malus nuk është thjesht një mekanizëm financiar, por një mjet edukues dhe motivues për të gjithë drejtuesit e mjeteve, duke ndihmuar në rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve, si dhe duke lehtësuar 96% të drejtuesve të mjeteve nga viti në vit.




