Drejtoresha Ekzekutive e Autoritetit Shqiptar të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Zonja Adela Xhemali, mori pjesë si paneliste në forumin rajonal Euromoney në 13-14 Janar në Vjenë, ku diskutoi mbi progresin e Shqipërisë në përshtatjen e sektorit financiar jo-bankar me standardet e Bashkimit Evropian, në tryezën e rrumbullakët “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE: A është gati sistemi financiar?”.
Gjatë diskutimeve të nivelit të lartë në kuadër të Forumit të 31-të të Europës Qendrore dhe Lindore, të organizuar nga Financial Times, zonja Xhemali theksoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të sigurimeve, fondeve të investimeve, pensioneve private dhe tregjeve kapitale në mbështetje të rritjes së qëndrueshme ekonomike në Shqipëri.
Ajo prezantoi qasjen graduale dhe të strukturuar të AMF-së për implementimin e një kuadri mbikëqyrës të tipit Solvency II, duke nënvizuar se reformat e vazhdueshme, të mbështetura nga një roadmap i Bankës Botërore, po forcojnë mbikëqyrjen bazuar në riskun, qeverisjen dhe qëndrueshmërinë e kapitalit.
“Këto reforma rrisin transparencën, parashikimin rregullator dhe besimin e investitorëve, duke mbështetur progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” theksoi zonja Xhemali.




