Insurance Europe, shoqata e siguruesve evropianë, përmes një komunikimi zyrtar për shtyp, vlerëson se Bashkimi Europian ka hyrë në një fazë vendimtare për forcimin e kursimeve afatgjata dhe pensioneve shtesë, me synimin për t’u dhënë qytetarëve rritje ekonomike dhe siguri financiare.
Në reagimin e saj ndaj paketës së publikuar nga Komisioni Europian, organizata thekson se krijimi i një Unioni të Kursimeve dhe Investimeve është thelbësor për të ardhmen e kontinentit.
Drejtorja e Përgjithshme e Insurance Europe, Thea Utoft Høj Jensen, është e idesë se funksionimi i mirë i sistemeve suplementare të pensioneve është një gur kyç në ndërtimin e kursimeve afatgjata dhe orientimin e kapitalit drejt prioriteteve strategjike të Europës.
Sipas saj, industria e sigurimeve është e angazhuar plotësisht në këtë mision.
Kryetari i sektorit të sigurimeve personale dhe të përgjithshme, Nicolas Jeanmart, ka theksuar se ndryshimet e propozuara në rregulloren e PEPP-it përbëjnë një përmirësim të dukshëm.
Heqja e kufirit të tarifave dhe e detyrimit për “kompartmentet” standarde i jep ofruesve më shumë hapësirë për fleksibilitet dhe inovacion, duke krijuar mundësi për produkte që u përshtaten më mirë nevojave të qytetarëve.
Ai ka theksuar gjithashtu se ruajtja e mjeteve të reduktimit të rrezikut, si garancitë, mbetet thelbësore.
Propozimet e Komisionit Europian vijnë në një moment kritik, kur financat publike dhe sistemet e pensioneve në Europë përballen me presion në rritje për shkak të plakjes së popullsisë, zvogëlimit të raportit mes punonjësve aktivë dhe pensionistëve, si edhe ndryshimeve të thella të tregut të punës.
Në këtë realitet, një sistem pensionesh i qendrueshëm dhe i ndërtuar mbi disa shtylla shihet si i domosdoshëm për të garantuar të ardhura të mjaftueshme në pleqëri dhe për të kanalizuar kapital afatgjatë drejt nevojave strategjike të Europës.
Siguruesit, të cilët administrojnë 9.5 trilionë euro asete, 70% të investuara brenda BE, luajnë një rol qendror në ofrimin e zgjidhjeve të pensioneve dhe në mbështetjen e investimeve afatgjata.
Rishikimi i PEPP-it shihet si një mundësi për një “rindezje strategjike”: më shumë fleksibilitet për ofruesit, mundësi për produkte të personalizuara dhe largim nga qasja “një model për të gjithë”.
Kjo qasje përputhet edhe me gjetjet e sondazhit të Insurance Europe 2025, ku 81% e qytetarëve zgjedhin produkte që garantojnë të paktën kapitalin e tyre, ndërsa vetëm 19% priren drejt rrezikut më të lartë për fitime më të mëdha.
Sipas industrisë së sigurimeve, për të ndërtuar sisteme të forta shumë-shtyllëshe pensionesh dhe një PEPP funksional, duhen ndjekur disa parime:
respektimi i diversitetit të sistemeve kombëtare,
rritja e transparencës përmes sistemeve të gjurmimit të pensioneve,
fokusimi te perspektiva afatgjatë,
këshillimi i personalizuar,
fleksibiliteti në mjetet e reduktimit të rrezikut,
nxitja e anuiteteve përmes stimujve fiskalë dhe
përdorimi i çmimeve fleksibël që nxisin inovacionin.
Ky vizion ambicioz synon të ndërtojë një të ardhme ku qytetarët e BE-së gëzojnë pensione më të sigurta, kursime më të forta dhe një ekonomi që mbështetet në investime të qëndrueshme afatgjata.




