Përveç dëmit pasuror, për të cilin AMF ka standardizuar një rregullore e për cilën në Sigurime. Online dje patëm dedikuar një artikull të posaçëm, ekziston edhe dëmi jopasuror.
Çdo personi të cilit i është shkaktuar një dëm nga përdorimi i mjetit të transportit brenda
territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, përveç të drejtës për dëmshpërblime pasurore, ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim për dëme jopasurore
Dëmi jopasuror përfshin cenimin e të drejtave dhe interesave që nuk lidhen me pasurinë, por me shëndetin, integritetin fizik, gjendjen shpirtërore dhe cilësinë e jetës së personit.
Legjislacioni shqiptar e ndan këtë dëm në tre kategori:
A) dëm biologjik,
B) dëm moral dhe
C) dëm ekzistencial.
Dëmi biologjik lidhet me cenimin e shëndetit dhe të integritetit fizik e psikik. Ai llogaritet sipas moshës dhe shkallës së paaftësisë së përhershme të personit të dëmtuar. Për çdo 10% të paaftësisë së përhershme, dëmshpërblimi mund të arrijë deri në 110 000 lekë. Kufijtë ndryshojnë sipas grupmoshës.
Dëmi moral përfshin dhimbjen shpirtërore, shqetësimet emocionale dhe vuajtjet e të dëmtuarit dhe familjarëve. Kur dëmtimi sjell paaftësi të përhershme, dëmshpërblimi moral llogaritet në përqindje të dëmit biologjik. Familjarët prindër, fëmijë dhe bashkëshorti mund të marrin deri në 1/5 e shumës së përfituar nga i dëmtuari; vëllezërit dhe motrat deri në gjysmën e kësaj shume. Në rast vdekjeje, dëmshpërblimi moral për familjarët kryesorë është deri në 220 000 lekë. Për paaftësi të përkohshme, dëmshpërblimi moral është deri në 15 000 lekë për çdo muaj.
Dëmi ekzistencial lidhet me prishjen e mënyrës së përditshme të jetesës dhe aftësisë së personit për të shprehur veten në marrëdhëniet personale e shoqërore. Edhe ky dëm llogaritet me të njëjtën metodë si dëmi moral, në përqindje të dëmit biologjik. Familjarët mund të përfitojnë sipas të njëjtave rregulla si te dëmi moral. Në rast vdekjeje, vlera maksimale për secilin familjar është sërish 220 000 lekë. Për paaftësi të përkohshme jepen deri në 15,000 lekë në muaj.
Pavarësisht përllogaritjeve, kompania e sigurimit nuk mund të kalojë kufijtë maksimalë të parashikuar në ligj.
Kur nga e njëjta ngjarje ka shumë persona të dëmtuar dhe totali i dëmeve tejkalon limitet e sigurimit, shumat ndahen proporcionalisht midis të dëmtuarve.




