Një ditë më parë, një pjesë e argjinaturës së Lagunës së Vainit në Lezhë, pranë zonës së Talës, u ça.
Çarja e argjinaturës përmbyti lajmet kryesore në vend e njëherësh rrezikoi përmbytje në tokat përreth.
Ekipi i Drejtorisë së Ujitje-Kullimit Lezhë u vu menjëherë në gatishmëri në terren, duke bashkëpunuar ngushtë me emergjencat civile. Forcat e Armatosura dhe pushteti vendor nisën menjëherë punën për rehabilitimin e pjesës së dëmtuar.
Por a mund të përfshihen sigurimet dhe jo shpenzimet me para publike, në riparimin e argjinaturave, sidomos atyre të ndërtuarave rishtas? Përgjigjja është Po. Teorikisht po.
Si mund të sigurohet një argjinaturë?
Argjinaturat mund të jenë të sigurueshme nëse janë ndërtuar sipas normave dhe standardeve teknike.
Në Shqipëri, gjatë ndërtimit, sigurimi shpesh është i detyruar ligjërisht, sidomos për projektet koncesionare.
Gjatë operimit, që do të thotë pas marrjes në dorëzim nga enti publik menaxhues, këto struktura mund të sigurohen për dëme nga rreziqe të ndryshme, si tërmeti, aktet vandaliste dhe përmbytjet, përmes një risigurimi të veçantë.
Ky lloj sigurimi kërkon modele të specializuara dhe të dhëna të sakta: plani i rehabilitimit dhe mirëmbajtjes, historiku 10-vjeçar i përmbytjeve dhe analizat teknike.
Risiguruesit ndërkombëtarë të mëdhenj, me të cilët bashkëpunon SIGAL, si Swiss Re, Munich Re, Hannover Re, Scor dhe Lloyd’s, garantojnë kapacitetet financiare për mbulimin e këtyre rreziqeve.
Modelet perëndimore
Ekspertë të ndryshëm, nisur nga përvojat perëndimore, sugjerojnë se përdorimi i sigurimeve dhe risigurimeve për argjinaturat publike mund të bëhet një alternativë më efikase se shpenzimi i drejtpërdrejtë i fondeve publike, duke garantuar sigurinë e strukturave dhe mbrojtjen e tokave bujqësore me menaxhim profesional të riskut.
Në kushtet e një vendi si Shqipëria, ku argjinaturat janë pjesë kyçe e mbrojtjes nga përmbytjet, sigurimi i tyre sipas standardeve teknike dhe bashkëpunimi me risiguruesit ndërkombëtarë mund të shndërrohet në një model të qëndrueshëm për menaxhimin e rreziqeve natyrore.
Vetëm se kjo do të kërkonte një rritje të vigjilencës në procesin ndërtues dhe veçanërisht gjatë marrjes në dorëzim nga enti menaxhues, në mënyrë që argjinatura, si pronë publike, t’i plotësonte kushtet e marrjes në sigurim.




