Rreshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjete, biznese dhe banesa në qytete si Vlora, Durrësi, Shkodra dhe Bulqiza.
Përmbytjet kanë mbuluar rrugët kryesore dhe dytësore, duke dëmtuar automjete dhe vështirësuar qarkullimin.
Bizneset dhe ambientet e banimit në katet përdhese janë përballur me dëmtime të brendshme dhe humbje të mallrave.
Në Durrës, rreth 300 banesa u përmbytën pjesërisht, duke prekur veçanërisht zonën e “Durrësit të Ri”.
Situata është problematike edhe në Shkodër dhe Bulqizë, ku rrëshqitjet dhe përmbytjet kanë dëmtuar rrugët lokale dhe pasuritë e qytetarëve.
Shoqata e Siguruesve apelon që qytetarët dhe bizneset të konsiderojnë sigurimin jo si shpenzim, por si investim në qetësi dhe mbrojtje financiare.
Sigurimi nga fatkeqësitë natyrore zbut pasojat e përmbytjeve, stuhive, erërave të forta dhe rrëshqitjeve të tokës.
Për bizneset, kjo përfshin jo vetëm dëmet materiale, por edhe ndërprerjen e aktivitetit ekonomik.
Polica KASKO ofron mbrojtje të plotë për automjetet kundër dëmeve nga përmbytjet, breshëri, rrufe dhe terreni i pasigurt. Ajo përfshin shpesh edhe asistencë rrugore dhe transport në servis, duke shmangur stresin dhe koston për drejtuesin.
Shoqata nënvizon se sigurimi është një përgjegjësi qytetare dhe humanitare, që garanton mbrojtje për familjet, bizneset dhe komunitetin.
Investimi në sigurim është mënyra më e mirë për të siguruar pronat dhe qetësinë përballë fatkeqësive natyrore.




