Në Shqipëri, qytetarët vazhdojnë të paguajnë shumë më tepër për të siguruar pasurinë sesa shëndetin apo jetën e tyre nga aksidentet.
Të dhënat për nëntëmujorin e parë të vitit 2025 tregojnë se shqiptarët kanë paguar vetëm 665 milionë lekë për sigurimin e shëndetit dhe 425 milionë lekë për sigurimin nga aksidentet, ndërsa pjesa dërrmuese e tregut dominohet nga sigurimet e pronës dhe automjeteve.
Mbi 85% e sigurimeve të Jo-Jetës përqendrohen te sigurimet e detyrueshme motorike, sigurimet e mjeteve të tjera tokësore dhe sigurimet e pronës.
Është padyshim shumë e zgjuar dhe e nevojshme të sigurohen mjetet lëvizëse dhe pronat, por ajo që shihet si shqetësuese në Shqipëri është fakti që aksidentet dhe sëmundjet shpesh lihen në mëshirë të fatit.
Ndërkohë që një aksident apo një sëmundje e rëndë mund të godasë rëndë ekonominë e një familjeje, sigurimet që mbrojnë jetën nga aksidentet dhe shëndetin nga sëmundjet vazhdojnë të kenë peshë minimale në treg.
Kontrasti bëhet edhe më i thellë po të krahasohet me vendet fqinje: në Kosovë, 21.23% e sigurimeve të Jo-Jetës lidhen me sigurimin e sëmundjeve, ndërsa në Shqipëri kjo peshë është vetëm 3.59%. Kujdesi për sigurimin e shëndetit si peshë e tregut të sigurimeve të Jo-Jetës është gjashtë herë më i lartë në Kosovë.
Si vlerë nominale, në Shqipëri paguhet 6.9 milionë euro për ta siguruar shëndetin, në Kosovë 22.3 milionë euro. Ky dallim tregon qartë nivelin e ulët të ndërgjegjësimit për sigurimin shëndetësor privat në Shqipëri dhe mungesën e besimit në rolin mbrojtës të tij.
Në raport me vendet e tjera evropiane pesha është edhe më e papërfillshme dhe ky tregues në Shqipëri duhet të ndërrojë sa më parë. Ekspertët e tregut theksojnë se ky fenomen lidhet me mungesën e kulturës së sigurimit dhe me perceptimin se sigurimet janë kosto, jo investim.
Në një realitet ku kostot mjekësore rriten sigurimi i shëndetit nga sëmundjet është thuajse domosdoshmëri, e cila shqiptarëve, siç duket, ende nuk u ka alarmuar sa duhet.




