Zelanda e Re është përfshirë nga një stuhi e fuqishme pranverore që ka detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin e Canterbury dhe të lëshojnë alarme të kuqe të erës, ndër më të rrallat në vend.
Era që arrin deri në 150 km/h dhe reshjet e dendura kanë shkaktuar dëme të mëdha, përfshirë ndërprerje energjie, përmbysje kamionësh dhe përmbytje të rrugëve.
Fluturimet në Wellington dhe Christchurch janë anuluar, ndërsa disa linja hekurudhore dhe institucione publike janë mbyllur.
Agjencia Kombëtare e Emergjencave ka thënë se po mobilizon forcat për t’u përballur me përkeqësimin e motit, ndërkohë që zjarrfikësit luftojnë edhe disa vatra zjarri në Hawke’s Bay dhe Hanmer Springs.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesa dhe të shmangin lëvizjet për shkak të rrezikut nga pemët e rrëzuara dhe rrëshqitjet e tokës.