Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, i realizuar në nëntor të vitit të kaluar, ka qenë rezultat i një procesi të strukturuar, ku Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me të gjitha bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiare, ka punuar me përkushtim për të përmbushur kërkesat teknike dhe rregullatore të nevojshme.

Sot, 11 banka vendase e ofrojnë shërbimin SEPA për qytetarët dhe bizneset.

Përmes SEPA, transferimi i parave nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të SEPA-s kushton deri në 5 herë më pak se më parë.

Ky proces mundëson edhe transaksione më të shpejta, ku pagesat elektronike bëhen më të shpejta, më të sigurta dhe më komode.

Po ashtu, me futjen në SEPA, garantohet më shumë transparencë dhe barazi: një pagesë nga Tirana në Romë nuk kushton më shumë se një pagesë brenda Tiranës.

Integrimi në SEPA, i kombinuar me zgjerimin e pagesave digjitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim.

Për analogji, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro.