Tregu shqiptar i sigurimeve ka vijuar tendencën pozitive edhe gjatë periudhës janar-gusht 2025, duke shënuar një rritje prej 9.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave zyrtare, vëllimi i primeve të shkruara bruto arriti në 17,906,461 mijë lekë, ose 1,557,613 mijë lekë më shumë se në janar-gusht 2024.
Numri i kontratave të sigurimit u rrit gjithashtu me 6.12%, duke kapur shifrën 1,116,204.
Në veprimtarinë Jo-Jetë, primet e shkruara bruto arritën në 16,397,444 mijë lekë, me një rritje prej 9.19%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 5.19%, në 1,004,017.
Ndërkohë, në sigurimet e Jetës, tregu u zgjerua më shpejt: primet bruto u rritën me 13.47%, duke arritur në 1,504,394 mijë lekë, ndërsa numri i kontratave arriti në 112,167, me një rritje prej 15.21%.
Pavarësisht rritjes së tregut, vlera e dëmeve të paguara ka rënë me 2.27%, duke zbritur në 5,468,399 mijë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shqiptarët, të nxitur edhe nga sistemi bonus-malus, por edhe siç është njoftuar më parë se ka një rënie të aksidenteve, shkaktojnë më pak dëme.
Megjithatë, numri i dëmeve të paguara është rritur me 1,783 raste, duke arritur në 49,427: prej tyre 47,055 janë nga sigurimet Jo-Jetë, dhe 2,372 nga sigurimet Jetë.
Të dhënat tregojnë për një treg sigurimesh në zgjerim të qëndrueshëm, me rritje si në volum, ashtu edhe në bazën e kontratave, ndërsa ulja e dëmeve të paguara tregon një kontroll më të mirë të riskut dhe menaxhim më efikas nga shoqëritë e sigurimit.