Pas njoftimit të fundit të qeverisë për indeksimin e pensioneve, CEO i SIGAL UNIQA Invest, z. Elvis Ponari, theksoi nevojën urgjente për të ndërtuar “një arkitekturë të re të pensioneve” në Shqipëri.
Sipas tij, ky hap i qeverisë është pozitiv, por tregon edhe një realitet të vështirë që nuk mund të anashkalohet më: sistemi aktual publik nuk mjafton për të garantuar pensione dinjitoze në të ardhmen.
“Sot kemi rreth 720 mijë pensionistë dhe më pak se 800 mijë kontribues aktivë”, theksoi Ponari, duke e cilësuar këtë raport pothuajse 1 me 1 si të paqëndrueshëm në afatgjatë.
Ai shtoi se emigracioni i lartë po e ngushton më tej bazën kontribuese, çka nënkupton se brezat e rinj do të përballen me pensione më të ulëta nëse mbështeten vetëm te shtylla shtetërore.
Në këtë sfond, Ponari vuri në dukje rolin në rritje të Fondit Privat të Pensioneve të SIGAL UNIQA Invest, që prej gati 20 vitesh ofron një alternativë reale sigurie financiare.
“Vetëm këtë vit kemi arritur rekord historik prej 700 mijë euro kontribute mujore, dhe synimi ynë është të kapim 1 milion euro në muaj,” deklaroi ai, duke shtuar se gjithnjë e më shumë individë dhe kompani po zgjedhin kursimet private për shkak të përfitimeve fiskale dhe kthimit të qëndrueshëm.
Duke iu referuar praktikave evropiane, z. Ponari theksoi se: “një sistem modern pensionesh duhet të mbështetet mbi tre shtylla: publike, profesionale dhe individuale”. Kombinimi i tyre, sipas Ponarit, do të mundësonte pensione më të larta dhe më të qëndrueshme.
“Nëse një 30-vjeçar kursen vetëm 50 euro në muaj për 25 vite, ai mund të sigurojë mbi 25 mijë euro në fondin e tij të pensionit”, theksoi CEO i SIGAL Uniqa Invest, duke e cilësuar këtë si shembull të qartë se “vendimet e vogla sot sjellin ndryshime të mëdha nesër”.
“Çfarë është pensioni privat? Një nocion shtetëror me ligje dhe benefite fiskale që individi të kursej vet për të ardhmen e tij. Prandaj Evropa ka bërë këto ligje dhe direktiva evropiane që kur të dalësh në pension të marrësh 1 rrogë nga shteti, një rrogë nga privati si pension mujor.
Nëse duam një sistem të qëndrueshëm DHE PENSIONE TË LARTA, duhet të kombinojmë shtyllën publike me atë private. Qeveria duhet të krijojë më shumë incentiva fiskale dhe informim publik; qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre financiar; dhe ne, si sektor privat, duhet të garantojmë transparencë, kthime të qëndrueshme dhe besueshme“, sqaroi z. Ponari.