Një punëtor pastrimi humbi jetën mbrëmë në një aksident rrugor në Peqin, duke lënë pas familjarët me vështirësi emocionale dhe financiare.
Humbja e tij do të thotë mungesë të menjëhershme të kontributit financiar në familje.
Ligji shqiptar, përmes Ligjit Nr. 32/2021 dhe rregullores së miratuar, garanton të drejtën e familjarëve për dëmshpërblim financiar, pavarësisht nga kompania e sigurimit.
Familjarët mund të kërkojnë kompensim pa nevojën e avokatëve, duke njohur të drejtat e tyre ligjore të përcaktuara qartë.
Si përfitojnë dhe çfarë përfitojnë familjarët e viktimës?
Trashëgimtarët ligjorë të punëtorit të ndjerë kanë të drejtë të paraqesin kërkesë dëmshpërblimi pranë shoqërisë së sigurimit të mjetit shkaktar brenda 2 viteve nga aksidenti. Kërkesa mund të dorëzohet me shkrim ose elektronikisht. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të regjistrojë kërkesën, t’u japë familjarëve numrin e regjistrimit si dëshmi, të sigurojë formularin zyrtar dhe listën e dokumenteve të nevojshme.
Dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për dëmshpërblim Dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për dëmshmpërblim me pasojë vdekje përfshin: kërkesa zyrtare për dëmshpërblim, polica e sigurimit të mjetit shkaktar ose konfirmimi i mbulimit, llogaria bankare e kërkuesve të përfitimit, procesverbali policor ose dokumentacioni penal që përcakton fajësinë, certifikata e vdekjes, certifikata familjare dhe vërtetimi i të ardhurave neto personale të viktimës për tre vitet e fundit.
Si përllogaritet dëmshpërblimi?
Dëmshpërblimi për vdekjen nga aksidenti rrugor llogaritet sipas një formule ligjore që merr parasysh moshën, situatën familjare, të ardhurat vjetore dhe dëmin moral/ekzistencial për të afërmit. Përveç shumës së përllogaritur, shtohet edhe një shumë fikse prej 300,000 lekësh për shpenzimet e varrimit.
Afatet për trajtimin e kërkesës
Shoqëria e sigurimit është e detyruar të shqyrtojë kërkesën për dëme ndaj personit brenda 90 ditëve kalendarike nga data e depozitimit dhe të njoftojë familjen për masën e dëmshpërblimit, në rast se kërkesa pranohet, po ashtu edhe për arsyet ligjore të refuzimit, në rast se kërkesa hidhet poshtë.
Një sistem që garanton të drejtat e të dëmtuarve
Rasti tragjik në Peqin është një kujtesë e dhimbshme për pasojat që sjell pakujdesia në rrugë, por gjithashtu nxjerr në pah një aspekt të rëndësishëm të mbrojtjes ligjore të qytetarëve përmes sistemit të sigurimit të detyrueshëm. Familjarët e viktimës nuk kanë vetëm të drejtën morale për drejtësi, por edhe një të drejtë ligjore për përfitim financiar, që ndihmon në lehtësimin e barrës që sjell humbja e një të afërmi në moshë pune. Për këtë nuk kanë nevojë as për zyrë ligjore, avokat apo palë të treta që ua ndërlikojnë procesin: ky artikull do të mjaftonte.